Treg

Turizmi po lihet të vdesë, lulet i sjellin që në aeroport

Panorama që përshkruan situatën aktuale të turizmit shqiptar sipas atyre syreshë që janë brenda industrisë “është një tunel i gjatë, ku në fund të tij nuk ka asfare ndonjë rreze drite”.

Të dhënat që dipsonojnë shoqatat e turizmit dhe turoperatorëve flasin për një reduktim të vendeve të punës në 50%, vetëm 3% prurje të turistëve të huaj, maksimumi i punës në hotele dhe vendakomodine të tjera në 20%,  falimentime strukturash akomoduese dhe agjenci turistike e turoperatorë.

Nga ana tjetër një indiferentizëm brilant nga ana e qeverisë.

Zak Topuzi Shoqata Shqiptare e Turizmit

“Asnjë reagim nuk kemi nga qeveria apo institucionet kompetente megjithë kërkesat tona të vazhdueshme për bisedime. Ne jemi të paralizuar. I kemi menduar edhe demonstratat, por nuk lejohen. Qeverisë nuk i shpallim dot luftë dhe kemi ngecur keq. Nuk shoh asnjë zgjidhje. Kemi mbetur tek ligji i Xhunglës, kush t'ia dalë, t'ia dalë në mënyrë individuale”, thotë Zak Topuzi nga Shoqata Shqiptare e Turizmit duke shpjeguar për gazetën “Si” se fqinji i rajonit Mali i Zi me 500 mijë banorë sapo ka publikuar paketën e tretë mbështetëse prej 1, 2 mld eurosh për ekonominë e vendit, 50% e të cilës do t'i dedikohet industrisë së turizmit.

“Pa harruar grantet dhe financimet e tjera dhe uljen e TVSH-së për baret dhe restorantet nga 22% në 7%. Kurse qeveria jonë mbyll pishinat, klubet dhe ndalon muzikën. Kjo është absurde ndërkohë që ka një protokoll dhe detyra e qeverisë është të kontrollojë zbatimin e protokollit”- shton Topuzi.

“Asnjë kontakt me qeverinë. I shohim në TV duke shpërndarë lule vetëm”, thotë Kliton Gërxhani nga ATOA (Agjencia Shqiptare e Turoperatorëve dhe Agjencive Turistike).

Teksa Agjencia Kombëtare e Turizmit në varësi të Ministrisë së Turizmit u ka dërguar  Agjencive turistike dhe turoperatorëve një mail ku i vë në dijeni për masat që ka marrë shteti turk për zhvillimin e turizmit këtë vit.

“Pranë AKT, në dt. 20.07.2020 ka mbërritur një shkresë zyrtare nr. 7120 Prot, nga MTM me qellim sensibilizimin dhe informimin, mbi masat që ka ndërmarrë qeveria Turke në kuadër të sezonit turistik veror 2020. Për shkak të rëndësisë dhe masivitetit të turizmit veror në Turqi si dhe frekuentimit të pjesës më të madhe të turistëve shqipëtarë, u zgjodh qyteti i Antalia-s, si shembull i implemetimit në këtë rajon, të masave parandaluese dhe  ndërhyrëse në kuadrin e Covid 19. Agjencia Kombetare e Turizmit mbështetur në të drejtën e informimit dhe bashkëpunimit me sektorin privat në fushën e turizmit, nëpërmjet faqes zyrtare të saj si dhe profileve në Social Media, ka kenaqesine t'ju asistojë me dhënien e informacionit mbi ketë çështje.”- citon maili duke vijuar mandej me informacionet rreth masave të shtetit turk për vendosmërinë e zhvillimit të turizmit pavarësisht pandemisë dhe pa asnjë ftesë të mundshme për diskutim me grupet e interesit.

“Është paradoks nëse ato gjëra nuk i bëjnë vetë, por tregojnë si i kanë bërë të tjerët”- shprehet Gërxhani për gazetën “Si”.

Kliton Gërxhani (ATOA)

Teksa Zak Topuzi nuk sheh asnjë zgjidhje për shkak se sipas tij vullneti i qeverisë është zero për të menduar për turizmin, Kliton Gërxhani propozon “ndjekjen e situatës dhe kërkimin e marrveshejve bilaterale me vende me masë infeksioni të përafërt me ne (nëse më parë e mbajmë nën kontroll situatën e Covid). Dhe nëse kjo nuk ka sukses deri në vjeshtë, atëherë duhet të bëhet një analizë e degëve më të dëmtuara brenda sektorit të turizmit që të ndihmohen ato që janë të dëmtuara më shumë. Sepse nëse hotelet, restorantet e baret edhe mund të punojnë nga pak me turistë që shkojnë direkt tek ta, turoperatorët dhe agjencitë turistike janë totalisht pa punë sepse tregu shqiptar shkon direkt në hotele.”

Në këto 6 muaj të parë të vitit në vendin tonë sipas të dhënave të INSTAT kanë hyrë 65,1% më pak shtetas të huaj se sa në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Përgjatë gjashtë mujorit të parë 2020, Kosova ka rënien më të ulët të hyrjeve të shtetasve në Shqipëri me 51,0 %, ndërsa rënien më të madhe e ka pasur Polonia me 95,3 %, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë