Ne rrjet

Turistët nga Kosova nuk do të paguajnë taksë në Mal të Zi

Ndërkohë që shumë vende në botë po kufizojnë hyrjen e turistëve, Mali i Zi duket se po bën të pamundurën për t’u lehtësuar hyrjen pushuesve në vend.

Për të joshur turistët nga Kosova, Mali i Zi ka hequr nga 1 korriku sigurimin kufitar hyrjes prej 15 eurosh për shqiptarët e Kosovës. Vendimi duket të jetë një përpjekje e vendit fqinj për të tërhequr vizitorët nga Kosova, të cilët dynden zakonisht në bregdetin shqiptar.

Po ashtu, Podgorica ka njoftuar së fundmi se është e hapur plotësisht për të vizitorët pa u kërkuar asnjë provë se nuk janë të infektuar.

Në një njoftim, ambasada malazeze në vendin tonë thotë se Mali i Zi po pret turistë pa tampon dhe pasaportë vaksine dhe më e rëndësishmja, në rast infektimi me COVID-19, vendi fqinj do të mbulojë të gjitha shpenzimet spitalore.

“Mali i Zi është gati për të pritur turistë shqiptarë dhe ato nga rajoni pa pasur nevojën e tamponit apo një pasaporte vaksinimi anti COVID duke e bërë një vend ideal për një pushim të paharruar. Krahas sigurisë dhe ofertave të ndryshme, Mali i Zi merr përsipër edhe shpenzimet spitalore për ato që infektohen gjatë pushimeve”, thekson ambasada në njoftimin e saj.

Vendi fqinj premton po ashtu respektimin e protokolleve shëndetësore të higjienës dhe distancimin social në mënyrë që turistët të mund të pushojnë në mënyrë të sigurt.

Sipas të dhënave statistikore të vitit të kaluar, për shkak të pandemisë, numri i turistëve në Mal të Zi kanë pësuar rënie prej 92%.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë