Ekonomi

Brenda apo jashtë Shqipërisë/ Ku na bien më lirë pushimet?

Nëse më parë rezervimet nga shqiptarët për pushimet verore nisnin në mesin apo fundin e muajit qershor, për verën 2021 kanë nisur që në muajin prill. Ndonëse, sezoni veror i vitit të shkuar, ndryshe nga sivjet nuk kishte orë policore, rezultoi negativ dhe me rënie. Për Shoqatën e tur-operatorëve turistikë sezoni veror i 2021 do të përmirësohet me 31% dhe vjeshta akoma më shumë.

Gjithashtu, agjenci të ndryshme turistike në vend janë optimistë për këtë sezon.

Por sa u kushtojnë shqiptarëve një palë pushime?

Nëse shqiptarët zgjedhin të bëjnë pushime brenda vendit, ku në masën më të madhe zgjidhet zona e jugut do t'u duhet të paguajnë rezervimin apo paketën e ofruar nga agjencitë turistike dhe të marrin një shumë tjetër me vete. Agjencitë turistike në Shqipëri nuk ofrojnë paketa all inclusive apo të paktën “half inclusive”. Në një paketë 5 ditore Dhërmi-Drimadhë-Jalë, një individ paguan 159 deri në 179 euro. Aty ka të përfshirë hotelin, darkën dhe mëngjesin.

Mbështetur nga të dhënat e Instat, numri i vizitorëve rezident nëpër strukturat akomoduese në Shqipëri është rritur me 10.1% për periudhën janar-mars 2021, krahasuar me të njëjtën kohë të vitit të shkuar.

Bazuar në çmimet me të cilat operojnë bizneset në jug, të cilat edhe sipas operatorëve turistike janë shumë të larta, rreth 13.000 lekë të reja duhen për tu bërë pjesë e vizitave të planifikuara nga guida. Në një mesatare prej 5.000 lekësh në ditë për ushqim apo aktivitete të rastësishme, për  5 ditë me radhë, pushimet kushtojnë 25.000 lekë shtesë nga akomodimi.

Një tjetër praktikë mjaft e përdorur, por më tepër e kushtueshme është rezervimi i drejtpërdrejtë nga hotelet brenda vendit, apo marrja e shtëpive me qira dhe realizimi i pushimeve pa mundësinë e një pakete të përfituar.

Sipas platformës Booking, nga një kërkim i gazetës “SI”, një natë në një hotel në qytetin e Sarandës nis në minimumin e vlerës 3.924 lekë dhe maksimumi në 8.628 lekë nata.

Të gjitha çmimet janë të vendosura sipas nivelit të infrastrukturës, shërbimit apo edhe distancës së  hotelit.

Oferta të hoteleve të ndryshme, për 2 apo 3 net qëndrimi shkon në shumën e 11.000 deri në 29.000 lekë në total, për vetëm qëndrimin.

Për një rezervim në qytetin e Durrësit, çmimet për qëndrimin në një hotel nisin nga 11 dollarë nata deri në 110 dollarë nata.

Njësoj si hotelet e jugut janë edhe çmimet për net qëndrimet në hotelet në bregdetin e veriut. Një natë në Shëngjin varion midis 3.900 lekë-7.700 apo 9.700 lekë.

Me një përllogaritje hipotetike nga të dhënat e tregut, nëse një individ do të marrë një dhomë hoteli në Sarandë, me çmim mesatar prej 6.276 lekë nata, për 5 ditë pushime do të paguajë 31.380 lekë, vetëm qëndrim. Mesatarisht, një drekë do të shkojë rreth 2.000 lekë dhe darka në të njëjtin nivel. Në total, për 5 ditë 20.000 lekë do të kushtojë vetëm ushqimi në vaktet drekë dhe darkë. Duke përfshirë edhe aktivitete të tjera, për të cilat hipotetikisht mund të shpenzohen  30% të vlerës se shpenzuar, shtohen edhe afërsisht 15.000 lekë të tjera. Pra nga një përllogaritje hipotetike, me të dhëna reale nga tregu, 5 ditë në Sarandë për një person do të shkojnë në 66.380 lekë afërsisht.

Nga burime për gazetën “SI”, shpeshherë hotelet devijojnë nga platforma e booking-ut ndonëse mund të jenë të regjistruar në të.

Një 22 vjeçare nga qyteti i Tiranës tregon se dy ditë para fundjavës telefonoi në një hotel në Jalë për një rezervim dy ditor atje. Çmimet në platformë ishin në vlerën e 120 euro nata, por për faktin se ajo kishte telefonuar vetëm dy ditë para fundjavës dhe jo më herët, e njëjta dhomë hoteli i kushtoi 300 euro nata, vetëm qëndrimi.

S.B. tregon për Gazetën “Si” se një vit më parë pushimet 1 javore në Dhërmi i kishin kushtuar mbi 2 mijë euro përfshirë qëndrimin, ushqimin, pijet dhe aktivitetet e tjera.

“Nuk kthehem më! Për aq para, mund të shtoj edhe 200-300 euro të tjera dhe bëj pushime all inclusive në Maldive apo Bali. Jo t’i harxhoj në Dhërmi”, tha ajo për “Si”.

Nga të dhënat e marra nga monitorimi i tregut, mesatarisht, për në Maldive ofrohet paketa prej 2.371 euro për 7 net me çdo gjë të përfshirë.

5 ditë në Dubai një shqiptari do t’i kushtojnë 599 euro, ku përfshihet guida hoteli dhe mëngjesi. Aq sa mund të shkojë vetëm net qëndrimi në një hotel në jug të Shqipërisë.

Sipas Kalemi Travel, kontaktuar nga gazeta “SI”, shqiptarët me të njëjtën shumë parash mund të bëjnë pushime në një hotel me 4 yje në Shqipëri dhe jashtë Shqipëri

“Çmimet varen gjithmonë nga standardet e hoteleve që ata zgjedhin, nuk janë çmime fikse, si për brenda ashtu edhe për jashtë. Me të njëjtin çmim ata mund të pushojnë në  një hotel 4 yje në Shqipëri, por me të njëjtin çmim mund të pushojnë edhe jashtë, sepse te dyja hotelet kanë të njëjtat standarde.“

Sipas drejtuesve të agjencive turistike në Shqipëri për sezonin veror 2021 Turqia mbetet një vend favorit për pushuesit shqiptarë.

Matias Travel tregoi për gazetën “SI” se destinacionet kryesore për këtë sezon veror për shqiptarët janë Turqia, Egjipti dhe Saranda duke e plotësuar me citimin “shqiptarët mezi po presin të pushojnë”.

Gjatë tremujorit të parë të vitit 2021, nga të dhënat e Autoritetit të Aviacionit Civil në vend, shqiptarët zgjodhën si destinacion kryesor shtetin turk, duke devijuar nga vendi i përhershëm, Italia. Kjo tendencë mund të jetë ndikuar edhe nga fakti se Turqia nuk ka vendosur masa për vizitorët që vijnë nga Shqipëria, ndryshe nga Italia apo vendet e tjera europiane. Ndërkohë, çmimet e paketave si në Itali dhe Turqi luhaten rreth të njëjtës vlerë.

Në vende si Stambolli, Verona apo Barcelona, një udhëtim 3 deri 4 ditë shkon afërsisht në 150-470 euro, bazuar në shërbimet që të ofrohen. Vetëm akomodimi apo edhe vaktet.  Në udhëtimet e vitit 2021, një kosto tjetër që i është shtuar shqiptarëve të interesuar për të dalë jashtë shtetit, është kryerja e tamponit.

Kështu thotë edhe përfaqësuesi i Kalemi Travel për Gazetën “Si”.

“Kosto që i shtohet pushimeve jashtë Shqipërisë, është kosto e transportit dhe tamponi për Covid-19 që kërkohet. Ndërkohë në Shqipëri nuk i kanë këto kosto”.

Në vitin 2018, shqiptarët shpenzuan jashtë Shqipërisë 182 milionë lekë ndërsa të huajt në Shqipëri 42 miliardë lekë.

Në vitin 2019, të ardhurat nga turizmi brenda vendit tonë arritën në vlerën e mbi 20 miliardë lekëve, ndërsa në vitin 2020, kjo shifër u ul me 13.4 miliardë lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë