Treg

Turistët e huaj kontribuojnë me 13.3 % te Prodhimi Vendas

Hyrjet e shtetasve të huaj në periudhën 2013-2017 janë rritur mesatarisht 12%, ndërkohë që shpenzimet e turistëve të huaj (jorezidentë) në vendin tonë janë rritur mesatarisht 8.5% për të njëjtën periudhe.

Mbi 70% e turistëve që hyjnë në Shqipëri janë nga rajoni. Sipas të dhënave të Institutit të Statistikave, hyrjet nga rajoni i Evropës zënë pjesën më të madhe të hyrjeve të shtetasve të huaj me 92.4% dhe janë rritur mesatarisht me 12.3% gjatë periudhës 2013-2017. Shtetasit e huaj që hyjnë në Shqipëri vijnë kryesisht nga: Kosova (34%), Maqedonia (13%), Greqia (10%), Mali i Zi dhe Italia (7% secili).

Në periudhën 2013-2017, numri i vizitorëve të huaj me netë qëndrimi (ku përfshihen vizitorët që qëndrojnë të paktën një natë në hotel apo në struktura akomoduese të tjera, tek të afërmit, shtëpitë e tyre, etj.) janë rritur mesatarisht 13%. Ndërsa numri i vizitorëve ditorë, për harkun kohor 2013-2017 është 1.3 milion, duke u rritur mesatarisht 39%.

I konsiderueshëm është edhe numri i shqiptarëve që kanë udhëtuar jashtë vendin në pesë vitet e fundit. INSTAT-i konstaton se në periudhën 2013-2017, 2.6 milion shtetas shqiptarë (rezidentë) kanë dalë jashtë vendit. “Në periudhën 2013-2017 daljet e shtetasve shqiptarë janë rritur mesatarisht 7.2%, ndërsa shpenzimet e shtetasve shqipatarë (rezidentë) jashtë vendit janë rritur mesatarisht 2.2%”. Në këto udhëtime ata kanë shpenzuar 854.5 milionë lekë. Shpenzimet e rezidentëve për udhëtime personale zënë pjesën më të madhe mesatarisht 75.9% dhe shpenzimet për udhëdhime biznesi dhe profesionale 24.1% të shpenzimeve gjithsej.

Instituti i Statistikave vlerëson se në periudhën 2013-2017, pesha specifike mesatare e shpenzimeve të turistëve të huaj (jorezidentë) në vendin tonë, ndaj totalit të PBB-së, është 13.3 %, ndërsa pesha specifike mesatare e shpenzimeve të shtetasve shqiptarë jashtë vendit tonë ndaj totalit të PBB është mesatarish 11.2%.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë