Ekonomi

Paketa Fiskale 2024 / Komisioni i Ekonomisë e miraton në parim online vetëm me votat e PS

Nga Gazeta ‘SI’ - Komisionet parlamentare kanë vijuar seancat online me prezantimin e paketës fiskale 2024, duke vijuar me miratimin në parim të të gjitha propozimeve.

Zëvendësministrja e MFE-së, Vasilika Vjero dhe përfaqësuesit e tjerë të qeverisë kanë prezantuar propozimet e Këshillit të Ministrave, për ndryshimet e reja tatimore.

Fillimisht, zëvendësministrja Vjero prezantoi ndryshimin e sugjeruar për akcizën dhe produktet e prekura nga ajo, duke sqaruar se ajo nuk do të indeksohet me inflacionin, për shkak të rritjes së fortë të inflacionit, por do të vazhdojë të indeksohet me normën 1.5%, si dy vitet e fundit.

Deputetja Milva Ekonoomi, prezantoi shkurtimisht projektligjin që rregullon më tej marrëdhëniet e bizneseve me shtetin, kryesisht shumëkombëshet, si edhe propozime për penalitetet e reja të bizneseve që kryejnë shkelje me ndikim negativ në financat e shtetit.

Specifikisht, bëhet fjalë për bizneset që nuk kanë paguar këstet e tatim-fitimit korporativ dhe TAP,  të cilat tashmë nuk do të gjobiten me një vlerë fikse, por në bazë të dëmit që i kanë shkaktuar shtetit.

Penaliteti do të llogaritet si për të gjitha detyrimet e tjera tatimore të papaguara, në masën 0,06 për qind të shumës së detyrimit të papaguar për çdo ditë gjatë së cilës pagesa nuk është kryer, për një periudhë jo më të gjatë se 365 ditë kalendarike.

E njëjta gjë do të ndodhë edhe me bizneset që nuk lëshojnë fatura apo kanë deklarime fiktive.

Deputetja Eni Zako, prezantoi përpara komisionit të Ekonomisë, propozimet e qeverisë për taksimin e karbonit. Qeveria parashikon rritjen e taksës e taksës së karbonit për qymyrin, si dhe përfshirja në taksën e karbonit edhe e disa nënprodukteve dhe e formave të tjera të qymyrit. Niveli minimal i taksës, sipas metodologjisë së FMN-së, do të jetë të paktën 15.3 lekë/kg qymyr nga 3 lekë/kg qymyr që ishte.

Pas vitit 2026, kjo do të nisë të paguhet nga të gjithë eksportuesit shqiptarë të çimentos, çelikut dhe industri të tjera, të cilat çlirojnë karbon në natyrë gjatë procesit prodhues. MFE parashikon një rritje të ardhurash me 170 mln euro.

Më tej, deputetja Pranvera Resulaj prezantoi ndryshimet e propozuara për heqjen e TVSH-së në import për të gjallat dhe insekteve. Sipas relatores, synimi është nxitja e importit të tyre me qëllim rritjen e numrit të krerëve në vendin tonë; zhvillimin e sektorit të bletarisë, stimulimin e prodhimit bio dhe përdorimin e metodave inovative në bujqësi për kontrollin biologjik të insekteve të dëmshme. 

Deputeti socialist Erjon Braçe, i cili ka qenë një ndër iniciatorët e projektligjit të lartëpërmendur, tha se për importin e mëshqerrave mbartëse, mbahet dhe një tarifë doganore që nuk parashikohet të hiqet, që i rëndon shumë fermerët.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë