Ekonomi

Gjokutaj: Buxheti 2024 s’ka emër. Nuk i dedikohet një skeme!

Nga Gazeta ‘SI’ - Projektbuxheti i vitit 2024, i sapoprezantuar nga ministri i Financave, Ervin Mete, ka hyrë tashmë në sitën e ekspertëve, të cilët nuk shohin ndryshime cilësore, përveç atyre sasiore.

Në një analizë të detajuar për Gazetasi.al, analisti i qendrës Altax, Eduart Gjokutaj thekson se buxheti i vitit 2024 është thjesht një zgjatim i 2023-shit, me ndryshime vetëm në shifra, por jo në qëllim.

Gjokutaj thotë se qeveria duhet të ishte fokusuar më shumë tek shtresat vulnerabël nga pensionistët tek familjet e reja.

“Nuk ka një emër ky buxhet, nuk i dedikohet një skeme. Mbështetja për pagat nuk është temë e re, u diskutua në 2023-shin. Pensionet nuk janë kryefjalë, indeksimi është detyrim jo rritje. Buxheti duhet të kishte emër për shtresat sociale. Minimumi jetik, të paktën të hynte në dialog Familjet e reja të përfshiheshin. Janë njësoj si StartUp-et. Ndihmat për ish-të përndjekurit, nuk i shtojnë buxhetit e nuk duhen përmendur që janë aty sepse ajo është perceptim që po ndihmohen shtresat vulnerabël, qasje elektoral”, shprehet z.Gjokutaj.

Në vijimësi të sugjerimeve nga Fondi Monetar Ndërkombëtar, analisti thotë për Gazetasi.al se qeveria ka bërë pak për t’i ndjekur ato dhe se një pjesë “ka qenë fat”.

FMN foli dhe tha gjëra qe i ka përsëritur dhe më herët. Ka ecuri të pakët për konsolidimin fiskal. Deficiti mbetet i njëjtë. Borxhi parashikohet në rënie, por kjo jo sepse ka pasur ecuri pozitive në reformën fiskale, por sepse u zhvlerësua euro, monedhë në të cilën është borxhi”.

Analist i qendrës Altax, Eduart Gjokutaj/ Gazetasi.al

Në vlerë rritja është e lehtë dhe duket si vazhdim i buxhetit 2023. Shpenzimet do të shkojnë për të njëjtat projekte, nga koncesionet, kontratat e kaluara dhe arbitrazhet e detyrimet dhe që ka qeveria. Një pjesë e madhe do të shkojë për atë ku qeveria ‘i hyri detit në këmbë’, rritjen e pagave, që në 2 vite do t’i kushtoji 375 mln euro.

Lidhur me parashikimin e tatimit të profesioneve të lira dhe parashikimit se do të rriten të ardhurat në buxhet nga ky zë, Gjokutaj shprehet se MFE duhet të jetë e kujdesshme pasi kjo nxit një vrull të rritjes së çmimeve, pandershmërisht

“Ne nuk kemi bursë, por një lajm i tillë do të ndikonte direkte në bursë dhe do të krijonte spekulime. Gjithsesi dhe tek ne mund të krijohen spekulime. Biznesi shqiptar i pandershëm nxit rritjen e çmimeve. Prandaj, rikthimi i këtij regjimi tatimor, duhet trajtuar me kujdes”.

Kur ministri i Financave, Ervin Mete prezantoi projektbuxhetin e vitit 2024, tha se ai është formuluar për “t’ju përgjigjur disa ambicieve të qeverisë”. Ambicie këto që nisnin me zotimin e rritjes së pagës mesatare në 900 euro brenda vitit të ardhshëm, indeksimin e pensioneve, infrastrukturën publike dhe specifikisht Rindërtimin.

Në projektbuxhetin e vitit 2024, qeveria parashikon të rrisë të ardhurat me pothuajse 20 mld lekë dhe shpenzimet për vitin 2024, shtohen me rreth 30 mld lekë nga 2023-shi. Nga këto, 128.5 mld do t’i dedikohen investimeve publike, ku përfshihet dhe fondi i veçantë për Rindërtimin. Rritja nga një vit më parë është vetëm 6 mld lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë