Ekonomi

Buxheti 2024, Muço: Rritja e pagave nuk nxit zhvillim ekonomik. Taksat në sektorin turistik do ta dëmtojnë

"Rritja e pagave është për të financuar skemën e kontributeve që është pranë falimentimi"

Nga Gazeta 'SI' - Projektbuxheti i vitit 2024 i ka rezervuar qeverisë kritika të shumta, nën argumentin se asnjë nga ‘fushat prioritare’ nuk do ta çojnë më tej ekonominë e vendit. Madje, politika të caktuara edhe mund ta dëmtojnë atë.

Në një komunikim me Gazetasi.al eksperti i ekonomisë, Klodian Muço, shpjegon se pse rritja ekonomike që qeveria e pret nga rritja e pagave nuk mund të nxisë zhvillim ekonomik dhe se kjo nismë nuk është thjesht ‘përmbushja e një zotimi të qeverisë’.

“Rritja e pagave është për të financuar skemën e kontributeve që është pranë falimentimi. Rritja nuk po vjen sepse është rritje punësimi. Ky është polarizim që nuk gjeneron zhvillim. Rritja ekonomike do të vijë nga rritja a pagave që nxit konsumin, inflacioni dhe akciza, jo rritje reale nga punësimi dhe produktivitetit”, shpjegon Muço.

Eksperti i ekonomisë, Klodian Muço/Gazetasi.al

Eksperti vazhdon analizën e tij sipas ‘prioriteve’ të qeverisë, duke argumentuar se nuk janë aspak të tilla. Muço thotë se vendosja e një çmimi referencë për hotelet dhe TVSH-ja për banesat në Booking vetëm e dëmtojnë turizmin e biznesit të vogël dhe favorizojnë të mëdhenj.

“Thanë se fokusi është turizmi por jo. Investimet janë thjeshtë rrugë që kanë nisur më herët dhe vazhdojnë të financohen edhe në këtë buxhet. Nuk ka politika zhvilluese. E vetmja politikë është çmimi i referencës për hotelet dhe kjo është zgjidhje tipike shqiptare, nuk ndodh në vendet normale. Kjo dëmton të vegjlit dhe stimulon të mëdhenjtë, nuk luftohet informaliteti kështu. Edhe TVSH-ja e Booking është e padrejtë. Ka shumë diferencë me taksimin e hoteleve. Fiskalisht, këto subjekte dëmtohen”.

Për sektorin bujqësor, eksperti Muço vlerëson pozitivisht heqjen e TVSH-së për importin e kafshëve të gjalla dhe insekteve, por shton se duhet bërë më shumë për t’u stimuluar prodhimi vendas, që fermerët të kenë mundësi të financojnë fermat e tyre.

As digjitalizimi nuk është në të vërtetë prioritet i qeverisë, sipas analizës së z.Muço.

“Si mund të jetë prioritet kur numri i të punësuarve është i njëjtë si në fillim edhe në fund të vitit. Investojmë qindra miliona euro, por ndërkohë nuk ka asnjë reduktim të numrit të punonjësve. Nuk po ndodh automatizimi i proceseve të punës”.

Nga ‘zbërthimi’ i projektbuxhetit 2024, ekspertët shprehin dhe mangësitë që ka hartimi i dokumentit më të rëndësishëm i financave në vend.

Eksperti Muço rikujton rënien e fortë të eksporteve gjatë këtij viti, 19% duke shtuar se nuk ka asnjë masë në buxhet për këtë ‘tragjedi’. “Nga lufta në Izrael pritet një rritje tjetër e inflacionin në botë, as për këtë qeveria nuk ka parashikuar asnjë masë për të frenuar efektet në ekonominë shqiptare”.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë