Tuneli i Kalimashit u gdhi gri nga tymi që shkaktuan vatrat e zjarrit përgjatë gjithë natës, ku situata mbetet ende kritike në Lakun e Thive.
Prej mëngjesit të së martës po punohet nga toka dhe ajri për të qetësuar situatën, që gjithësesi po mbahet nën kontroll
Zjarri në malin mbi tunel është shuar pas ndihmës të përforcuar edhe nga forcat kosovare, ndërsa situata po mbahet nën monitorim nga forcat zjarrfikëse shqiptare.
Ndërhyrja në zonën e Kukësit për zjarret është përqendruar në dy vatra zjarri; “Laku i thive” dhe “Qafa e Kumbulles” në Malin e Rrunës në njësinë administrative Malzi.
Në dy vatrat sa më sipër vijojnë të jenë forcat e emergjencave civile, zjarrfikëset e Kukësit dhe ato të ardhura nga Kosova.

Ndërkohë, Tuneli i Kalimashit (i lirë për të kaluar) është mbidyndur nga pushuesit kosovare duke krijuar për pasojë edhe një trafik të rënduar në aksin Lezhë-Milot, ku radha e mjeteve është e madhe.
Por mes pushuesve, vatrave të zjarrit, përgjegjësisë njerëzore dhe asaj shtetërore por edhe një pale tjeter të padukshme e lidhur me interesa te caktuara në disa zona, aktualisht vatra zjarri, në vendin për të cilin është bërë më shumë debat, Tuneli i Kalimashit, ka futur hundët politika.
Fillimisht të hënën, në mbrëmje vonë, kontigjenti i trupave të Forcës së Sigurisë së Kosovës kaloi kufirin me Shqipërinë, për mbështetjen e autoriteteve vendore të Kukësit në shuarjen e zjarreve. Ministri i Punëve të Brendshme i Kosovës, Xhelal Sveçla njoftoi se mobilizoi ekipet zjarrfikëse, si përgjigje ndaj kërkesës urgjente të autoriteteve shqiptare për ndihmë dhe mbështetje të autoriteteve lokale të Kukësit, në luftimin e zjarreve.

Paralelisht edhe Presidentja e Koosvës, Vjosa Osmani, njoftoi se autorizoi një operacion të FSK-së për t’u dalë në ndihmë autoriteteve në Shqipëri në fikjen e zjarrit.
Në anën tjetër, Presidenti i Republikës, Ilir Meta, shkoi që me natë në Kukës.
Në mëngjes herët as ai nuk nguroi të jepte një falënderim, por vetëm për ndërhyrjen nga Kosova.
”Tuneli i Kalimashit plotësisht i kalueshëm dhe i sigurt.
Falenderim për angazhimin operacional të strukturave zjarrfikëse të Kukësit dhe të Kosovës.
Ndërsa vazhdon puna për të mbrojtur tunelin, sot në orët e para të mëngjesit pritet një operacion me më shumë forca për të fikur zjarret në të gjithë malin e Rrunjës, për të mbrojtur jetët njerëzore dhe banesat e Shëmrisë”, raportoi Meta në Facebook.
Që me mëngjes ende pa gdhirë reagoi me “vigjilencë” edhe Lulzim Basha.
“Mirënjohje Kosovës për ndihmën vëllazërore në betejën me zjarret! Bashkëpunimi me forcat ushtarake dhe civile të Shqipërisë, që prej ditësh po sakrifikojnë me vetëmohim e në kushtet më të rënda, është jetik për mbrojtjen e jetës dhe shëndetit të qytetarëve dhe të pasurive natyrore”.
Mes politikës së njërës palë për të falënderuar çdo metër lëvizje të forcave të Kosovës, ndodhet edhe ana tjetër e medaljes, përpjekja e autoriteteve shtetërore dhe pamundësia e saj për të vënë e vetme në kontroll gjithë territorin nga zjarret

Kreu i Emergjencave Civile, Haki Çako tha nga Kukësi se situata mbi Tunelin e Kalimashit është stabilizuar.
Megjithatë, ai vërejti fenomenin që po shfaqet dukshëm.
“Në fakt duket sikur përsëritet historia e Rozafës, sapo fikim një vatër, ndodh aktivizimi i një zjarri tjetër që të lë të kuptosh se këto janë të qëllimshme. Është një terren aq i madh sa është e vështirtë të mbikëqyrësh të gjithë pyjet dhe hapësirën. Terreni njihet më mirë nga banorët dhe ata që kanë qëllime kriminale për t’i vënë zjarrin, të cilët paguhen nga qarqe të caktuara” tha Çako.
Edhe Prefekti i Kukësit, Zenel Kuçana është shprehur se situata në Tunelin e Kalimashit është vënë nën kontroll që mbrëmjen e të hënës, duke u kujdesur më shumë të theksoje se “gatishmëria nga shteti shqiptar ka qenë maksimal”, pa dashur të fokusohet tek ndihma që u erdhi nga forcat e Kosovës.
“Të gjithë kanë qenë në krye të detyrës, që nga kryetari i Bashkisë, Safet Gjici e drejtues të operacionit. Ka pasur një erë tepër të fuqishme, sa mendoje se ke mbaruar shpërthente vatra tjetër. Është era e fuqishme në drejtime të ndryshme që shpërndan zjarrin. Gjithsesi ne ia dolëm mbanë mbrëmë edhe me ardhjen e mjeteve të tjera dhe u bë e mundur që ajo pjesë mos të ketë asnjë problem. Sot të gjitha edhe me mjete ajrore në njësinë administrative Malzi e në lagjen e poshtme të Leproj po merren masa që zjarri mos të shkoj në banesa. Po kështu edhe në pjesën e sipërme në Thirrëz po merren masa që mos të shkojë flakë në Surroj pasi janë disa stane dhe barinj me blegtori. Është bërë një pritë që nuk do shkojë. Zjarri erdhi nga Mirdita, kemi bashkëpunuar edhe me perfektin e Lezhës. Nuk ka zjarre të natyrës të gjitha këto janë të dorës së njeriut. Mjete duhet të riparohen duhet të jepen në standardin që kanë fqinjët tanë”, tha Kuçana.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.
.png)




Lini një Përgjigje