Ka ndodhur

Tubimi në Kavajë për Bashën, gjobitet PD. Procedohen 20 persona

Një ditë pas tubimit të djeshëm në Kavajë, ku kryetari i PD Lulzim Basha mblodhi qindra mbështetës në një aktivitet politik, policia ka proceduar 20 persona nën akuzën për “organizim të tubimit të paligjshëm” dhe “bllokim të lëvizjes së mjeteve”.

Po ashtu, në kuadër të respektimit të masave anti-Covid për tubimet politike, policia ka gjobitur me shumën 5 milionë lekë Partinë Demokratike.

LEXO EDHE:
“Mitingu” i parë i Bashës, çfarë u tha në 2 minuta gjatë pritjes nga demokratët e Kavajës (Video)

Burime policore bëjnë me dije se mes të proceduarve si organizator, është edhe ish-kreu i Bashkisë Kavajë, Isa Sakja.

Gjatë tubimit, kryedemokrati u bëri thirrje disa herë mbështetësve për respektimin e distancës dhe vendosjen e maskave, por duket se qytetarët nuk u bindën dhe vazhduan për disa minuta me thirrjet “Rama ik”.

Sipas policisë në tubim ishin mbledhur 150-200 persona, gjë që bie ndesh me rregullat e vendosura nga Komiteti Teknik, për kufizimin e përhapjes së Covid 19.

Policia e Shtetit bëri dje thirrje që të gjitha subjektet politike të tregohen bashkëpunuese.

“Policia e Shtetit shpreh shqetësim për thyerjen flagrante të rregullave anticovid në grumbullimin e disa njerëzve nga ana e një subjekti politik. Bëjmë thirrje për respektimin e këtyre rregullave nga të gjithë dhe shpresojmë në mirëkuptimin e të gjithëve.

Deri kur rregullat në fuqi do ta ndalojnë grumbullimin e mbi 10 personave, Policia e Shtetit është e detyruar të penalizojë shkelësit. Por, njëkohësisht duke mos dashur në asnjë mënyrë të hapim shtigje për keqinterpretime, u kërkojmë subjekteve politike bashkëpunim dhe mirëkuptim. Në të kundërt penalizimet me gjobat përkatëse do të jenë të pashmangshme”, - thuhej në një njoftim.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë