Trend

“Trupi im është i yti për 6 muaj nëse paguan operacionin plastik”! “Narko-estetika”, femra trofe e kumbarëve të drogës

Shteti perëndimor meksikan i Sinaloa është shtëpia e kartelit më të fuqishëm dhe më të përgjakshëm të drogës në vend. Paratë që gjeneron kanë lënë gjurmët e tyre në marrëdhëniet midis narkotikëve dhe grave të reja dhe kanë nxitur një obsesion lokal për operacionet plastike.

Doktoresha Rafaela Martinez Terrazas thotë se ka pafund kliente të reja që kërkojnë të bëjnë ndërhyrje estetike.

Shumica prej tyre kërkojnë procedura që lidhen me atë që është bërë e njohur si "narko-estetikë".

"Një bel më i vogël, ijet më të gjera me vithe më të mëdha ... dhe nëse flasim për gjoksin, e kërkojnë përgjithësisht me përmasa të mëdha", thotë Martinez.

Rafaela Martinez Terrazas

Një grua me këtë siluetë të hiper -feminizuar, të ekzagjeruar shpesh quhet la buchona në Meksikë, veçanërisht nëse ajo ka një shije në të veshur dhe ka një të dashur narko.

"Mosha mesatare e pacienteve të mia është midis 30 dhe 40. Por shumë shpesh vijnë gra shumë më të reja, edhe të mitura nën 18 vjeç", thotë doktoresha.

"Ato konkurrojnë me njëra-tjetrën kush ka trupin më të mirë, apo belin më të hollë".

Gratë dhe adoleshentet mund të shkojnë për një konsultë me nënat ose miqtë e tyre. Të tjerët shkojnë me një burrë, ose vetëm.

"Shpesh ata vijnë me një të dashur që paguan për operacionin dhe unë kam zotërinj të ndryshëm që më marrin në telefon dhe më thonë: "doktoreshë, do të të dërgoj një vajzë për një operacion".

"Një djalë më mori në telefon dhe më tha: "Njëra nga vajzat e mia po vjen. Tani doktoreshë, ti e di se çfarë më pëlqen. Mos i kushto vëmendje asaj që ajo thotë, kjo është ajo për të cilën po të paguaj."", thotë Martinez.

Ky burrë ka dërguar ndoshta 30 gra tek Rafaela Martinez për kirurgji dhe shpesh pagesa bëhet me para në dorë.

"Natyrisht, në këto raste paratë vijnë nga trafiku i drogës. Unë e dija se kjo nuk është gjë e mirë dhe tani nuk është se kam ndryshuar mendje, por nuk e mendoj më shumë para se të operoj. Kjo sepse ekonomia këtu në Sinaloa, restorante, bare, spitale dhe çdo gjë varet nga trafikimi i drogës”, thotë Martinez.

Martinez përpiqet të këshillojë gratë, operacionet e të cilave paguhen nga një i dashur apo dashnor.

"Unë e pyes pacienten nëse ajo është mirë për operacionin që ai dëshiron që ajo të bëjë. Ndonjëherë ato thonë "është mirë, çfarëdo që ai dëshiron ". Dhe u shpjegoj se pas një kohe, ai nuk do të jetë më i dashuri i tyre, por trupi do të jetë i tyre për pjesën tjetër të jetës. Kështu që ato duhet të zgjedhin atë që duan, jo atë që ai dëshiron".

Fotografi ilustruese

Në dhomën e saj të konsultimit, doktoresha sheh dëshmitë e lidhjeve gjysmëkontraktore, shpesh të përkohshme midis burrave dhe grave. Këto janë marrëdhënie personale të formuara në Sinaloa, disa do të thoshin ‘të keqformuara nga trafiku i drogës’.

"Për një narko është vërtet e rëndësishme të ketë një grua të bukur në krah të tij ... është si prototipi për çdo narko", thotë Pedro (jo emri i tij i vërtetë).

Pedro është një njeri i fuqishëm rreth të 30-ave, i cili nuk dëshiron të identifikohet. Ai e përshkruan veten si një trajner personal dhe lëviz në qarqet e trafikut të drogës në Sinaloa.

"Burrat konkurrojnë me njëri -tjetrin për gratë. Gruaja është dikush që do të jetë në shtëpi duke u kujdesur për fëmijët tanë. Gratë e tjera që kemi janë më shumë si trofe".

Gruaja e një narko

Emma Coronel Aispuro, gruaja e ish -kreut famëkeq të kartelit Sinaloa, Joaquín "El Chapo" Guzmán, u deklarua fajtore në qershor në Uashington DC për komplot për shpërndarjen e drogës dhe një sërë akuzash të tjera. Thuhet se ajo u takua me Guzmán që adoleshente në një konkurs bukurie në Durango, Meksikë, në 2007 dhe ra dakord të martohej me të atë ditë.

"Burrat janë të motivuar nga epshi, për vithe të mëdha dhe gjoks. Më shumë se gjithçka është epsh", thotë ai.

El Chapo me shokun e tij dhe një femër në krahë.

Pedro ka paguar për operacionet plastike për dy gra.

"Ka njerëz që thonë “Shoqja ime dëshiron që të bëjë gjoksin, vithet apo hundën. Ajo po kërkon një sponsor dhe nëse një burrë dëshiron, atëherë ai do të jetë sponsori ose kumbari i saj", thotë ai.

Kështu bëhen një marrëveshje.

"Kështu një grua thotë: "Në rregull, trupi im është juaji për gjashtë muaj nëse paguani për operacionin, ", thotë Pedro.

Dhe këto kontrata joformale mund të mos jenë vetëm për kirurgji.

"Shpesh nëse një grua nuk është vajza e dikujt me ekonomi të mirë, ata kërkojnë një të dashur që mund t'i mbështesë ata", thotë ai.

"Pra, marrëveshja mund të jetë për gjëra të tilla si një makinë, një shtëpi, para të gatshme ose sende luksoze".

Në Sinaloa, ku varfëria është e përhapur dhe jeta është e pasigurt si rezultat i pranisë së kaq shumë grupeve të armatosura, një "kumbar" mund t'i sjellë një gruaje jo vetëm rehati, por edhe mbrojtje.

Kjo ishte ajo që Carmen (përsëri, jo emri i saj i vërtetë) po kërkonte kur bëri një pakt me një narko. Ajo jeton në Culiacan, qyteti më i madh i Sinaloa, por vjen nga një zonë e varfër, rurale, ku si fëmijë ajo ishte shpesh e uritur.

"Doja një jetë që familja ime nuk mund të ma jepte për shkak të varfërisë. Kështu që kur isha 16 vjeç i thashë nënës sime se do të jetoja vetëm. Mbaj mend që gjyshja më tha: 'Por ti je vetëm një fëmijë, çfarë do të bësh?' Dhe unë thashë, 'Unë kam duar dhe këmbë dhe jam inteligjente. Unë mund të punoj' ".

Carmen u transferua në Culiacan dhe qëndroi me një nga shumë familje të lidhura me krimin e organizuar. Por në këtë shtëpi ajo u dhunua seksualisht. Carmen shfrytëzoi një shans dhe i besoi një burri që takoi.

"Ai e pa që isha shumë i frikësuar dhe më tha:" Merre numrin tim ". Gjeta guximin për të lënë atë shtëpi dhe mbajta lidhje me të".

Marrëdhënia u bë seksuale.

"Ai më tha, 'Ti je një vajzë, je vetëm dhe nuk ke askënd që të të mbrojë në Culiacan, një qytet i rrezikshëm'.

“Unë do të jem kumbari jot". Kështu që unë e shoh atë kur ai dëshiron të më shohë dhe të gjithë njerëzit e tij e dinë se kush jam. Unë mund të eci kudo në Kuliacan dhe ndihem super e mbrojtur se asgjë nuk do të më ndodhë".

Ajo nuk e di se sa gra të tjera kanë një lidhje të ngjashme me të njëjtin burrë.

Carmen është e guximshme dhe e vendosur. Është një grua e re që ëndërron të shkojë në universitet dhe të fillojë biznesin e saj dhe ajo ka llogaritur se mënyra për të arritur qëllimet e saj në Sinaloa është që t'i nënshtrohet tekave të një burri që ajo gjithashtu e identifikon si jashtëzakonisht të rrezikshme.

"Unë nuk kam pushuar së frikësuari prej tij. Kur e takoj flitet për mafian, për biznesin, kjo më tremb", thotë ajo.

"Ajo që përpiqem të bëj është të harroj atë që kam dëgjuar dhe parë, sepse kjo mund të më fusë në telashe ... Ndoshta kumbari im nuk është i keq, por ai ka bërë gjëra të këqija".

Carmen është nën presionin e narko-kumbarit të saj për të bërë operacione plastike për të transformuar figurën e saj të imët. Deri më tani ajo ka arritur të shmangë dërgimin në dhomën e konsultimit të mjekes.

"Unë mendoj se ata që operohen janë të pasigurt, dhe ndoshta ata janë më të interesuar se unë për t'u bërë më shumë si la buchona," thotë ajo.

Obsesioni i kulturës Narco-estetikë ka zënë rrënjë në të gjithë vendin. Tabelat reklamuese të kirurgëve shfaqen në të gjithë Culiacan, duke siguruar klientët e ardhshëm se ata mund të paguajnë me kredi nëse nuk kanë para të gatshme. Nuk është e pazakontë që një vajzë adoleshente të marrë një operacion për ditëlindje ose dhuratë të Krishtlindjes.

Janette Quintero, e cila drejton një sallon të madh bukurie, ka bërë më shumë se 20 procedura kirurgjikale.

"E dua. Për një grua, operacioni është gjëja më e bukur në botë, të ndryshosh gjërat që nuk të pëlqejnë në trupin tënd", thotë ajo.

Ndërsa shumë gra në Sinaloa kalojnë një fazë të dëshirës për të qenë e dashura e një narko, thotë Gabriela, ajo tani dëshiron një burrë tjetër, "dikë inteligjent, punëtor dhe besnik".

Por ato cilësi mund të jenë të pakta në Sinaloa.

"Është shumë normale që një burrë të ketë tre ose katër gra si dhe të dashura të tjera. Është pjesë e kulturës", thotë Gabriela.

"Dhe ajo që kam parë me kalimin e kohës është se burrat janë bërë më të paturpshëm. Gratë e durojnë atë ndërsa mbështeten financiarisht dhe janë bërë të gjithë “sy që nuk shohin, një zemër që nuk ndjen"”.

“Kultura Narko-estetike o ka nxitur idenë se gratë janë pronë "të zotëruara" nga burrat”, thotë Maria Teresa Guerra, një avokate që ka kaluar dekada duke ngritur zërin për gratë në Sinaloa.

Kjo rrit rrezikun e dhunës ndaj grave, pavarësisht nëse kjo është dhunë nga një i dashur narko apo armiq të tij.

"Gratë janë vrarë sepse janë partnere të një trafikanti, ose kur një burrë ndjen se është tradhtuar. Narkot dërgojnë një mesazh se gratë u përkasin atyre", thotë Guerra.

Në Sinaloa vriten dy herë më shumë gra duke përdorur armë zjarri sesa në shtetet e tjera meksikane.

"Ajo që gjejmë në Culiacan është një rast i lartë i dhunës dhe mizorisë ndaj grave ku shpesh herë trupat e tyre gjenden të torturuara dhe të djegura", thotë Guerra.

"Mbaj mend rastin e një gruaje të re që i dashuri i saj ishte një narko. Ai pagoi për operacionin e saj kozmetik. Kur ajo u vra, atentatorët i drejtuan plumbat në gjinjtë e saj dhe ijet e saj, pjesët e trupit të saj në të cilat narkotrafikanti kishte investuar".

Sa e lehtë është për një grua t’i thotë 'Jo' një narko?

"Unë kam njohur gra që duan të shkëputen nga trafikantët e drogës, por është e komplikuar", thotë Guerra.

"Autoritetet ende nuk duan të përballen me këtë çështje të kulturës narko. Nuk ka luftë serioze kundër krimit të organizuar, ka akoma bashkëpunim. Janë narkotikët që mbrohen, jo gratë."

Carmen, e cila është e angazhuar në një ndërlidhje të rrezikshme, mund të mos e ketë kuptuar plotësisht këtë. Ose të paktën, ajo refuzon të merret me të dhe ajo nuk e di se sa gjatë do të jetë në gjendje t'i rezistojë lutjeve të tij për të takuar një kirurg për të zmadhuar gjoksin e saj ose për të bërë vithet më të mëdha.

"Tani për tani, ai më trajton si një perëndeshë", thotë ajo.

Burimi: BBC. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë