Ekspozite

“Trupi im, e drejta ime”, kur arti buçet në mbrojtje të gruas

“Trupi im, e drejta ime”, është ekspozita-instalacion më e re në kryeqytet. Ndërsa kalon në pedonalen e Tiranës, imazhet kundër dhunës dhe pro lirisë duket sikur buçasin fort. 

Gjatë gjithë perimetrit të shëtitores së kryeqytetit, janë vendosur një sërë veprash arti që kanë si emërues të përbashkët dhunën ndaj grave të realizuara nga artistë të rinj e studentë të Akademisë së Arteve të apasionuar pas fotografisë e skicimeve, të cilët sjellin më afër gjendjen shpirtërore të viktimave ndaj dhunës.

Kuratori i kësaj ekspozite, Ardian Isufi tregon për Gazetën "Si" se kjo mënyrë arti synon të japë mesazhe të forta, duke marrë shkas nga përvoja personale dhe jo vetëm.

“Ekspozita është e realizuar nga një bashkëpunim me artistë të rinj dhe studentë. Nën koordinimin e shoqatës ‘Red Cloud’ krijuam një situatë dialogu dhe komunikimi, ku studentët ishin shumë afër pjesës së procesit dhe të analizës mbi temën e dhunës ndaj femrës. Nëpërmjet identitetit apo përvojave të tyre direkte shprehën nëpërmjet artit disa mesazhe të forta, për sa i përket marrëdhënies që duhet të ketë njeriu me njeriun dhe marrëdhënies që duhet të ketë shoqëria me femrën”.

Duke qenë se kjo është një temë aq e prekshme për shoqërinë tonë, Isufi thotë se ka qenë shumë i rëndësishëm fakti i bashkëpunimit me studentët, i dialogut dhe pjesa e orientimit të tyre ndaj kësaj teme kaq të fortë, ndërsa falënderon edhe pedagogun Harri Aleksi, i cili ka ndjekur pjesën e workshopeve.

Fotografitë dhe skicat duket sikur dokumentojnë dhimbjen dhe sakrificat e një gruaje, por nga ana tjetër edhe revoltën dhe shpresën për një jetë më të mirë. Personazhet e kësaj ekspozite i ndeshim sa aktualë nga jeta reale, aq edhe si një pasqyrë e kohërave më të hershme.

“Veprat e tyre kanë qenë shumë interesante për sa i përket ilustrimit dhe konceptit të animacionit, pasi dhuna ndaj femrës është një problematikë, e cila ka shënuar historinë e njerëzimit nga shekulli në shekull”, vijon kuratori Isufi për Gazetën “Si”.

Një detaj që ai veçon gjatë punës me artistët e rinj është alternimi i artit me ngjarjet, që shpaloset si një formë sensibilizimi, thirrjeje e revolte, jo vetëm në vendin tonë, por edhe më gjerë.  

“Ka shumë rëndësi mënyra se si studentët alternuan elementët simbolike me ngjarje të caktuara, me episode të caktuara, ku ilustrimet e tyre kanë jo vetëm një marrëdhënie më ngjarjet për sa i përket Europës, por krijohet një situatë sensibilizuese për të parë botën, duke parë që ilustrimet për shembull vinin jo vetëm si shkak-pasojë e ikonografisë europiane në ilustrim, por edhe atë të ikonografisë aziatike, etj me radhë”.

Ndryshe nga galeritë që jemi mësuar të shohim në hollet e muzeve dhe galerive, kjo ekspozitë-instalacion vjen në natyrë të hapur, ku njerëzit ndërsa rendin në përditshmërinë e tyre mund të marrin dhe një shije estetike e mund të sensibilizohen ndaj një teme të ndjeshme për shoqërinë tonë.

“Ekspozita u konceptua që të qëndrojë e hapur në formë instalative, nëpër pedonalet dhe sheshet e qyteteve tona kryesore, si Korça, Shkodra dhe Tirana për të qenë më afër publikut dhe për të qenë më afër sensibilizimit ndaj kësaj teme të fortë që lidhet me dhunën dhe me privimin e lirisë që i bëhet në përgjithësi femrës shqiptare”.

Edhe sipas anketimeve apo statistikave, nga viti në vit, dhuna po bëhet një çështje shumë e rënduar në shoqërinë shqiptare.  Ndaj piktori shpreson që kjo formë arti të shërbejë edhe si një katalizator për të sjellë ndryshimin e këtij realiteti të dhimbshëm.

“Ndërsa dhuna sa vjen dhe shtohet ku për ironi të fatit ne jemi në një periudhë post-moderne dhe si të thuash qytetaria dhe koncepti qytetar i sjelljes me femrën, duhet të ishte në një pozicion tjetër, por Shqipëria siç duket nga paqëndrueshmëria e përhershme e në jetën e saj sociale shoqërore dhe politike e ka të agravuar, e ka shumë të rënduar këtë çështje e cila sot po kthehet deri në pika më të rënda pra jo vetëm të një dhune fillestare, por deri në privimin e lirisë dhe të jetës së femrës shqiptare”.

Duke e parë artin si një mënyrë për të shprehur revoltën e shoqërisë, Isufi është entuziast për faktin që të rinjtë janë të përfshirë në tema të tilla.

“Forma instalative e produktit artistik të studentëve do krijojë një pikëpamje komplet të re. Pra, publiku i kontakton këto vepra gjatë rrugëtimit të tij nëpër qytet, duke bërë më të prekshëm elementin e sensibilizimit mbi këtë temë”, përfundon kuratori Ardian Isufi për Gazetën "Si".

Në një vend të vogël si Shqipëria ku lëshohen aq shumë urdhra mbrojtjeje, duket se kjo ekspozitë me misionin e saj vlen aq shumë...


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë