Nga Gazeta ‘Si’- Presidenti i SHBA Donald Trump nënshkroi një urdhër ekzekutiv që miraton sanksionet kundër Gjykatës Ndërkombëtare Penale (ICC) në Hagë.
”Gjykata ka abuzuar me pushtetin e saj duke lëshuar urdhërarreste të pabaza që synojnë kryeministrin izraelit Benjamin Netanyahu dhe ish-ministrin e mbrojtjes Yoav Gallant”, thuhet në urdhrin e Trump.
Republikani, i cili u takua me Netanyahun në Shtëpinë e Bardhë të martën, akuzon gjykatën për “sjellje keqdashëse”.
As SHBA dhe as Izraeli nuk e njohin ICC-në.
Urdhërarrestet ndërkombëtare u lëshuan vitin e kaluar kundër Netanyahut dhe ministrit të atëhershëm të Mbrojtjes, të Izraelit Gallant për krime lufte të dyshuara në luftën e Gazës.
Paraardhësi i Trump, Joe Biden dhe një numër ligjvënësish nga të dyja partitë kishin kritikuar ashpër gjithashtu veprimet e kryeprokurorit Karim Khan kundër Izraelit.
Trump akuzon gjithashtu gjykatën se pretendon juridiksionin e saj “pa një bazë legjitime” dhe për hapjen e hetimeve paraprake kundër personelit amerikan.
Urdhri i Trump sanksionon punonjësit dhe mbështetësit e gjykatës që janë të përfshirë në hetime, aktakuza ose urdhërarreste kundër personelit amerikan ose aleatëve si Izraeli.
Sipas urdhrit, asetet do të ngrihen dhe personave dhe kompanive amerikane u ndalohet të kryejnë transaksione financiare dhe ekonomike me ta. Personat e shënjestruar nga sanksionet do të ndalohen të hyjnë në SHBA.
Kjo nuk është hera e parë që Trump sanksionon ICC-në.
Gjatë mandatit të tij të parë në detyrë, ai vendosi masa ndaj punonjësve të ICC-së, ndërsa gjykata filloi të hetonte trupat amerikane për krime të mundshme lufte në Afganistan.
Ndër objektivat kryesore të Trump ishte kryeprokurori i atëhershëm i ICC-së, Fatou Bensouda. Administrata Biden hoqi sanksionet menjëherë pas marrjes së detyrës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.