Ne rrjet

Trump nën akuzë për mbajtjen e dokumenteve sekrete: Një ditë e zezë për Amerikën!

Gazeta Si - Ish-presidenti i SHBA-së, Donald Trump është paditur me akuzën e posedimit të dokumenteve sekrete të ruajtura në Mar-a-Lago dhe të vjedhura nga Shtëpia e Bardhë.

Këtë e bëri të ditur vetë miliarderi, i cili u thirr në gjykatën e Majemit të martën, në orën 15:00, për t'u përgjigjur për shtatë akuza.

“Kjo është një ditë e zezë për Amerikën, ne jemi një vend në rënie serioze dhe të shpejtë”, komentoi Trump, duke denoncuar faktin se me “çështjen e kutive”, po tentohet të “ndërhyhet në zgjedhje”.

Ish-presidenti amerikan u akuzua zyrtarisht nga Departamenti i Drejtësisë si pjesë e hetimit për dokumentet e klasifikuara të gjetura në verën e vitit 2022 në rezidencën e tij private në Mar-a-Lago, Florida. Ndër akuzat do të ishte edhe shkelja e ligjit të spiunazhit për mbajtjen vullnetare të dokumenteve që lidhen me mbrojtjen kombëtare dhe mos dorëzimin e tyre tek përgjegjësit.

Hetimi u koordinua nga stafi i këshilltarit special Jack Smith, i emëruar nga Departamenti i Drejtësisë, dhe nga dy juri të mëdha me bazë në Uashington dhe Florida.

Donald Trump bëhet kështu ish-presidenti i parë në historinë e SHBA-ve që përballet me akuza federale.

Akuza që, sipas gazetës “Neë York Times”, i vendosin Shtetet e Bashkuara në "një pozicion të jashtëzakonshëm, duke pasur parasysh se Trump nuk është vetëm një ish-president, por edhe kandidati kryesor për nominimin republikan në zgjedhjet e vitit 2024 që mund të përballet me Joe Biden, administrata e të cilit tani po përpiqet ta padisë atë”.

"Dalin kundër një presidenti popullor" me "mashtrimin e dokumenteve. Kjo është ndërhyrje në zgjedhje në nivelin më të lartë. Unë jam një njeri i pafajshëm", ka deklaruar Donald Trump në një video të postuar në rrjetin social "Truth” për letrat sekrete të larguara nga Shtëpia e Bardhë.

"Ata duan të shkatërrojnë reputacionin tim, sepse duan të fitojnë zgjedhjet", vëren ai.

Dhe kryetari i Dhomës, republikani Kevin McCarthy, argumenton se "është e paimagjinueshme që një president të fajësojë një kandidat që e sfidon atë. Joe Biden ka mbajtur dokumente të klasifikuara për dekada".

Hetimi për dokumentet sekrete të Trump filloi në vitin 2021, kur Arkivi Kombëtar vuri re se ish-presidenti nuk i kishte dorëzuar të gjitha dokumentet pas largimit nga Shtëpia e Bardhë.

Filloi një mosmarrëveshje, e cila më pas rezultoi në kërkimin e FBI-së në Mar-a-Lago vitin e kaluar dhe, tani, në aktakuzë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë