Politike

Trump: Më të sigurtë pa emigrantë. Do ta ndërtoj murin me Meksikën

Për Donald Trump ishte fjalimi i dytë mbi gjendjen e vendi që kur erdhi në Shtëpinë e Bardhë, ndërsa për Kongresin e ri të zgjedhur në nëntor ishte përballja e parë me presidentin dhe politikat e tij kundër emigracionit.

Duke u bërë thirrje senatorëve demokratë për më shumë bashkëpunim politik, Trump deklaroi se shpresonte që Kongresi i ri nuk do të qeveriste si dy parti, por si një komb i vetëm. Presidenti hapi fjalimin e tij para senatorëve amerikane me një nga kauzat më të diskutuara të qeverisë së tij, mbrojtjen e interesave të punëtorëve amerikanë, duke vënë në dukje rreziqet që sipas tij paraqet emigracioni.

"Shumë prej nesh bënë fushatë me të njëjtat premtime: mbrojtje të vendeve të punës dhe tregti e drejtë për punëtorët amerikanë; rindërtimi dhe përmirësimi i infrastrukturës së vendit; ulja e çmimeve për kujdesin shëndetësor dhe ilaçet; krijimi i një sistemi të imigracionit që është i sigurtë, i ligjshëm dhe modern, si dhe një politikë e jashtme që vë në plan të parë interesat e Amerikës”, u shpreh ai.

Më pas kreu i Shtëpisë së Bardhë u ndal edhe tek nisma më e diskutuar e tij, e cila shkaktoi edhe mbylljen më të gjatë të qeverisë amerikane: muri me Meksikën. Duke i konsideruar emigrantët si një “barrë për fuqinë punëtorë amerikane, presidenti u shpreh se: “Asgjë nuk e dëshmon më qartë ndarjen e thellë mes klasës politike dhe klasës punëtore amerikane se sa imigracioni. Sot ju bëj thirrje të mbroni kufirin jugor të vendit tonë në emër të dashurisë për njerëzit tanë. Politikanë që jetojnë në lagje të mbrojtura, pas hekurave, nuk duan t’ia dinë për klasën punëtore amerikane që preket nga mbingarkimi i shkollave, i spitaleve, rreziku ndaj jetës, ndërkohë që pagat e tyre dëmtohen nga konkurrenca e imigrantëve”.
Trump nuk nguroi t’i kërkonte Kongresit mbështetje për propozimet që ai ka parashtruar për zgjidhjen e sfidave që sjell imigracioni.

Donald Trump

“Administrata ime i ka dërguar Kongresit një propozim të logjikshëm për t’i dhënë fund krizës në kufirin tonë jugor. Propozimi përfshin asistencë humanitare, më shumë zbatim të ligjit, zbulimin e drogave në portet tona, mbylljen e të çarave që mundësojnë trafikimin e fëmijëve, si dhe plane për një barrierë të re fizike, ose një mur, për të siguruar zonat e gjera ndërmjet pikave hyrëse kufitare. Në të kaluarën, shumica e njerëzve në këtë sallë votuan për një mur, por muri i vërtetë nuk u ndërtua kurrë. Unë do ta ndërtoj”, këmbënguli presidenti:. “Qyteti kufitar El Paso, në shtetin Teksas, kishte dikur një nivel jashtëzakonisht të lartë të krimeve të dhunshme, një nga më të lartat në vend, si dhe konsiderohej një ndër qytetet më të rrezikshme të vendit tonë. Tashmë, me një barrierë të fuqishme, El Paso konsiderohet si një ndër qytetet tona më të sigurta.”
Duke deklaruar se muret funksionojnë dhe se “shpëtojnë jetë”, Donald Trump u bëri thirrje demokratëve të arrijmë një marrëveshje për ta bërë Amerikën më të sigurtë.

Donald Trump

Në fjalimin e tij mbi gjendjen e vendit, Presidenti Trump u ndal edhe tek rreziku që vjen nga politikat ndaj Rusisë duke përsëritur se Shtetet e Bashkuara po mbajnë një barrë më të madhe ushtarake krahasuar me aleatët europianë. Ai u bëri edhe njëherë thirrje vendeve të NATO-s të paguajnë më shumë për mbrojtjen ushtarake.

"Gjatë dy viteve të fundit kemi filluar të rindërtojmë plotësisht Ushtrinë e Shteteve të Bashkuara, me një buxhet prej 700 miliardësh vitin e kaluar, dhe këtë vit me 716 miliardë. Po i shtyjmë edhe vendet e tjera të paguajnë pjesën e tyre të drejtë. Për vite, Shtetet e Bashkuara janë trajtuar shumë padrejtësisht nga NATO-ja, por ne tashmë kemi siguruar një rritje prej 100 miliardë dollarësh të shpenzimeve ushtarake të vendeve aleate të NATO-s”, deklaroi ai. Nën Administratën time, ne nuk do të kërkojmë kurrë ndjesë për avancimin e interesave të Amerikës.
Po ashtu Trump foli edhe për shkeljen e traktatit të armëve bërthamore nga Rusia, duke shpjeguar edhe arsyet pse SHBA-ja u tërhoq nga kjo marrëveshje e arritur gjatë Luftës së Ftohtë.

Për shembull, dekada më parë Shtetet e Bashkuara nënshkruan një traktat me Rusinë duke rënë dakort të kufizojmë dhe të reduktojmë aftësitë tona në fushën e raketave. Ndërkohë që ne e zbatuam marrëveshjen pikë për pikë, Rusia i shkeli kushtet e marrëveshjes në mënyrë të përsëritur. Për këtë arsye, unë njoftova se Shtetet e Bashkuara po tërhiqen zyrtarisht nga Traktati për Armët Bërthamore me Rreze të Mesme (INF)", theksoi Presidenti amerikan.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë