Ne rrjet

Trump mbylli fluturimet, BE e ashpër: Duhet bashkëpunim kundër pandemisë

Bashkimit Europian i është përgjigjur ashpër sot vendimit të presidentit ameriakan Donald Trump për të udhëtimet dhe shkëmbimet e mallrave me Europën, duke paralajmëruar se pandemia e koronavirusit "kërkon bashkëpunim".

Në një deklaratë të përbashkët presidentja e KE-së, Ursula von der Leyen dhe kreu i Këshillit Europian, Charles Michel thanë se politika ishte imponuar nga SHBA-ja, “pa konsultime" dhe sugjeruan se ajo mund të ishte kundërproduktive.

"Koronavirusi është një krizë globale, që nuk kufizohet në asnjë kontinent dhe kërkon bashkëpunim më shumë sesa veprim të njëanshëm," thanë ata."Bashkimi Europian nuk e pranon faktin se vendimi i SHBA për të ndaluar udhëtimi u mor në mënyrë të njëanshme dhe pa konsultime."

Vendimi ishte një kthesë drastike e politikës së presidentit amerikan, i cili vetëm 72 orë përpara ndalimit të udhëtimeve minimizoi ashpërsinë e virusit, duke e krahasuar atë me të mirë me "gripin e zakonshëm".

Por më pas Trump lajmëroi se kishte vendosur pezullimin e "të gjitha udhëtimeve" nga Europa në SHBA për 30 ditë. Presidenti fajësoi BE-në se nuk ka vepruar me shpejtësinë e duhur duke mos mbyllur kufijtë me zonat e prekura dhe pretendoi se rastet e koronavirusit në SHBA kishin prejardhje nga udhëtarët europianë.

Presidenti Donald Trump, Gazeta Si, 2020

Trump tha se masat e ndërmarra synojnë të ndalojnë përhapjen e rasteve në SHBA dhe lajmëroi se ndalimi do të hyjë në zbatim në mesnatën e së premtes. Megjithatë menjëherë pas mbarimit të fjalimit të presidentit Trump, administrata e tij doli me deklarata saktësuese se udhëtimet nuk ishin anuluar që të gjitha.

Një zëdhënës i Sigurisë Kombëtare Amerikane tha se ndalimi përfshinte udhëtimin nga zona Shengen, më saktësisht këto shtete:

Austria, Belgjika, Republika Çeke, Danimarka, Estonia, Finlanda, Franca, Gjermania, Greqia, Hungaria, Islanda, Italia, Letonia, Litenshtejni, Lituania, Luksemburgu, Malta, Holanda, Norvegjia, Polonia, Portugalia, Sllovakia, Sllovenia, Spanja, Suedia dhe Zvicra.

Shtetasit amerikanë dhe Banorët e Përhershëm që mbajnë Green Card, familjarët e afërt të shtetasve amerikanë dhe disa individë që do të specifikohen në urdhrin e Trump mund të udhëtojnë drejt SHBA për sa kohë kanë kaluar testet në aeroportet ku SHBA do të dërgojë testues. Mbretëria e Bashkuar nuk përfshihet në ndalimin e Trump.

“Bëmë një lëvizje që shpëtoi jetë duke marrë një vendim të hershëm ndaj Kinës. Tani duhet të bëjmë të njëjtën gjë për Europën,” deklaroi Trump.

Presidenti u shpreh se SHBA do të monitorojë situatën për të vendosur nëse udhëtimi mund të rihapet më herët nga afati një-mujor.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë