Bota

Trump: Aktakuza, qesharake dhe e pabazë

Ish-presidenti i Shteteve të Bashkuara të Amerikës, Donald Trump, ka reaguar për herë të parë publikisht që nga shpallja e akuzave ndaj tij, duke thënë se ato janë qesharake dhe të pabaza.

Një aktakuzë prej 37 pikash e bërë publike të premten e akuzon ish-presidentin për mbajtjen e dokumenteve sekrete në pronën e tij në Mar-a-Lago. Sipas aktakuzës, mes dokumenteve ishin disa nga sekretet më të ndjeshme ushtarake amerikane, përfshirë informacion mbi programin bërthamor të SHBA-së dhe pikat e dobëta të mundshme brenda vendit në rast të një sulmi.

Në dy fjalime të fushatës, Trump ka thënë se aktakuza përbënte “ndërhyrje në zgjedhje nga FBI-ja e korruptuar” dhe departamenti i drejtësisë. Ai ka mohuar çdo veprim.

“Akuza qesharake dhe të pabaza ndaj meje nga Departamenti i Padrejtësisë i armatosur i administratës Biden do të jetë ndër abuzimet më të tmerrshme të pushtetit në historinë e vendit tonë. Shumë njerëz e kanë thënë këtë, madje edhe demokratët. Ky persekutim i egër është një shpërfytyrim i drejtësisë”, ka thënë ish-presidenti amerikan.

Trumpi është akuzuar për keqpërdorim të qindra dokumenteve të klasifikuara, duke përfshirë disa që kanë lidhje me sekretet bërthamore të SHBA-së dhe planet ushtarake. Aktakuza e vë fajtor Trumpin për mbajtjen e dosjeve në pronën e tij në Florida, Mar-a-Lago. Ai gënjeu hetuesit dhe u përpoq të pengonte hetimin. Kjo është ndjekja e parë penale kundër një ish-presidenti amerikan i cili po garon sërish për president të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. /koha


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë