Futboll

Tronditet Seria A/ 14 të infektuar te Xhenoa, tampon edhe për Hysajn

Rasti i 14 pjesëtarëve të Xhenoas pozitivë me Covid-19 ka tronditur futbollin italian. Ndeshja e radhës për Xhenoan është ajo me Torinon të shtunën, por rreziku që të mos luhet është i madh. Duhet theksuar se UEFA ka vënë si limit numrin 13 të lojtarëve të infektuar për shtyrjen e një ndeshjeje në Kupat e Europës, kurse në Itali nuk ka ende një shifër limit.

Për momentin, në mungesë të një rregulli préciz, ndeshja Xhenoa-Torino duhet të luhet rregullisht. Situata ndryshon, nëse Liga ditët e ardhshme merr një vendim tjetër. Ky është rasti i parë i një infektimi kolektiv dhe pasojat mund të jenë të mëdha. Napoli i Elseid Hysajt, pas lajmit se 14 pjesëtarë të Xhenoas kanë dalë pozitivë, ka bërë tamponët, pasi ka rrezik që edhe lojtarët e tij të jenë infektuar dhe të dielën luhet Juve-Napoli. Hysaj, kapiteni i Kombëtares, ishte titullar ndaj Xhenoas.

Moment nga ndeshja Napoli-Xhenoa, 6-0. Gazeta Si, 28 shtator 2020

Ka pasur edhe raste të tjera të skuadrave me një numër të lartë lojtarësh të infektuar. I fundit është rasti i PSG-së që në javën e parë të kampionatit ndaj Lensit nuk kishte 7 lojtarë për këtë arsye, konkretisht Mbape, Nejmar, Ikardi, Di Maria, Markuinjos, Navas dhe Paredes. Një rast tjetër është ai i Flamengos në Brazil, ku ekipi zbriti në fushë vetëm me 2 titullarë dhe të tjerët lojtarë të rinj, pasi kishte 19 të infektuar me Covid-19.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë