Lajme

Tronditet Elbasani, vritet në lokal avokati i Çapjave dhe Shullazit

Një vrasje me armë zjarri ka tronditur qytetin e Elbasanit mbrëmjen e sotme. Mësohet se viktima është Ravik Gurra, 50 vjeç, me profesion avokat.

Ai ishte ulur në ambientet e jashtme të lokalit, kur është qëlluar me armë zjarri rreth orës 19:35. Gurra ka humbur jetën në vend nga të shtënat me breshëri, pavarësisht ndihmës së parë nga personat që ndodheshin në vendin e ngjarjes.

Bëhet e ditur se ai është mik i fisit Çapja në Elbasan, që ka qenë i përfshirë në një histori të përgjakshme hakmarrjeje. Po ashtu, Gurra është avokat në procesin gjyqësor të fisit Çapja dhe avokat mbrojtës i Emiliano Shullazit, një tjetër personazh i krimit në vend.

Ngjarja ka ndodhur në një kohë kur zona ka qenë e mbipopulluar me njerëz. Autori i krimit është larguar me shpejtësi nga vendi i ngjarjes, duke përfituar edhe nga errësira. Policia ka ngritur pika kontrolli në hyrje dhe dalje të Elbasanit.

Gjendet një makinë e djegur, dyshohet e autorëve

Pak pas vrasjes së avokatit Ravik Gurra në Elbasan, është gjetur një makinë e djegur. Automjeti tip “Benz” u gjet nën flakë në afërsi të fshatit Karakullak, pranë rrethrrotullimit të Bradasheshit. Autorët janë kujdesur që përmes djegies së makinës të zhdukin çdo provë.

Dhoma e Avokatisë: Autorët të dalin para drejtësisë

Dhoma e Avokatisë ka reaguar pas vrasjes së avokatit Ravik Gurra, mbrëmjen e sotme në Elbasan.

Në njoftimin për mediat kërkohet zbardhje e menjëhershme e ngjarjes dhe vënies përpara drejtësisë autorëve të krimit.

"Dhoma e Avokatisë të Shqipërisë, nëpërmjet mediave u vu në dijeni të vrasjes me armë zjarri të avokat Ravik Gurra, anëtar i Dhomës të Avokatisë Tiranë. Ajo është tronditur thellë nga kjo ngjarje, me shqetësim dhe indinjatë të thellë ju kërkon organeve ligjzbatuese duke i dhënë përparësi gjetjes dhe vënies para përgjegjësisë të autorëve të kësaj vepre e cila vjen e bëhet çdo ditë më prezente në kërcënim të jetës dhe shëndetit ndaj avokatëve, veprime që kanë marrë përshkallëzim në rritje ndaj profesionit sa të nderuar aq edhe fisnik të avokatit", thuhet në deklaratë.

Luçiano Boçi: Qyteti nën terrorin e bandave

Pas ngjarjes ka reaguar ish-deputeti i PD, Luçiano Boçi, i cili e cilëson vrasjen si një ngjarje të rëndë për qytetin e Elbasanit dhe dënon punën e policisë.

“Një tjetër vrasje në zemër të Elbasanit. Qyteti nën pushtetin e terrorin e bandave. Në vendin më publik dhe në orën më të frekuentuar, vritet avokati i njohur. Mesazhi është i qartë. Nuk është thjesht larje hesapesh. Ligjin në Elbasan e kudo në Shqipëri e bën krimi, e bëjnë bandat e Kongresit të Partisë. Ato vendosin për jetët, për tenderat, për votat. Po policia?!!!! Policia arreston qytetarët që mbrojnë shtëpitë, jetët e familjeve, lirinë e votës. Policia po përgatit setin e bombave gazlotsjellëse e helmuese të rradhës, ndaj protestuesve. Po gjuan se kush ishte në protestë e po gjobit autobuzat që i sollën. Krimi është partneri i saj më i çmuar. Të ndalim çmendurinë e të çmendurin. Ka ardhur koha!”, shkruan Boçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë