Futboll

Tripletë e Nejmarit, kalon Fenomenin dhe përpara ka vetëm Pelenë

Brazili u gjend dy herë në disavantazh në Peru, në një ndeshje pa publik, por ia doli të përmbyste gjithçka falë tre golave të Nejmarit. Tre gola që e lejojnë sulmuesin e PSG-së të kalojë Ronaldo Fenomenin në klasifikimin e shënuesve më të mirë të të gjitha kohërave të Seleçaos: 64 gola në 103 ndeshje për Nejmarin dhe 62 për Ronaldon. Përpara është vetëm Pele, me 77 gola.

Tite, pas fitores 5-0 ndaj Bolivisë, merr një tjetër trepikësh në kualifikueset e Botërorit, duke mundur Perunë 4-2. Vetëm Brazili dhe Argjentina janë me pikë të plota pas dy ndeshjesh, nga 6, por Seleçao është përpara për golaverazh më të mirë, 7-2. Pjesa e parë u mbyll 1-1, me gola të Karrilos dhe Nejmarit me penallti. Në të dytën shënuan Trauko, Riçarlison dhe Nejmar dy herë.

Nga ndeshja Peru-Brazil, 2-4. Gazeta Si, 14 tetor 2020

Brazili e nisi ndeshjen me Everton në portë, Danilo, Markuinjos, Tiago Silva dhe Renan Lodi në mbrojtje, Kasemiro, Douglas Luiz dhe Koutinjo në mesfushë, ndërsa në sulm luajtën Riçarlison, Firmino dhe Nejmar. Peruja shënoi që në minutën e 5-të, ndërsa Markuinjos u dëmtua dhe vendin e tij e mori Rodrigo Kaio. Nejmar barazoi me penallti, pak minuta më pas iu anulua një gol për pozicion jashtë loje, ku arbitrit kilen Julio Baskunjan iu deshën 3 minuta për të vendosur.

Peruja gjeti avantazhin sërish pas fillimit të pjesës së dytë, kur gjuajtja e Tapia u devijua nga Rodrigo Kaio. Në mesin e pjesës së dytë Brazili filloi ta dominojë lojën dhe Riçarlison barazoi 2-2, një gol i konfirmuar nga VAR-i pas 4 minutash pritje. Brazili fitoi një tjetër penallti për një prekje të topit me dorë nga Zambrano dhe Nejmar shënoi, 2-3. Sërish VAR-i protagonist, teksa një e verdhë për një bërryl të Zambranos ndaj Riçarlison, bëhet i kuq. Nejmar shënon edhe golin e katërt në fund dhe Brazili fiton, 2-4.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë