Lajme

“Treni i fundit” për tenderin e hekurudhës Tiranë-Rinas-Durrës

Ministria e Infrastrukturës ka shpallur thirrjen për shprehje interesi për tenderin e riparimit të linjës hekurudhore Tiranë-Durrës dhe ndërtimin e hekurudhës së re që lidh si Tiranën, ashtu edhe Durrësin me Aeroportin “Nënë Tereza”.

Investimi përllogaritet që të kushtojë rreth 90 milionë euro, ku 34 mln euro janë para të Fondit të Investimeve për Ballkanin Perëndimor, mekanizëm i ngritur në kuadër të Procesit të Berlinit dhe pjesa tjetër kredi e marrë nga Qeveria shqiptare tek Banka Europiane për Rindërtim dhe Zhvillim.

Kriteret që zbatohen në këtë tender janë të vendosura nga BERZH-i. Procedura deri në shpalljen e kompanisë, apo kompanive fituese u nda në dy faza. Faza e parë, që nisi që në muajin maj përqëndrohej vetëm tek vlerësimi i propozimeve teknike, pa asnjë referencë për çmimet. Ofertat teknike u vlerësuan nga Hekurudha Shqiptare.

Gazeta “Si” mëson se në këtë fazë kanë marrë pjesë 22 kompani dhe bashkime kompanish. Pjesa më e madhe e tyre kanë qenë kompani të huaja, ndërsa nuk kanë munguar as kompanitë shqiptare. Nga këto, vetëm 10 kompani dhe bashkime kompanish u kualifkuan për në fazën e dytë.

Njëri prej varianteve se si do të lidhet Rinasi me linjën hekurudhore Tiranë-Durrës. Gazeta Si, 1 nëntor 2019

Kompanitë e kualifikuara për në këtë fazë duhet të përditësojnë projektet e tyre me të gjitha ndryshimet e sugjeruara nga Hekurudha Shqiptare, nëse kjo e fundit ka patur vërejtje për detajet teknike të projekteve. Pikërisht në këtë fazë hyhet edhe tek detajet dhe kostoja financiare e projektit.

Afati që kompanitë në fjalë të ridorëzojnë dokumentacionin e plotësuar së bashku me ofertën financiare është deri në muajin shkurt të 2020. Pas mbylljes së këtij afati, Hekurudha Shqiptare brenda 60 ditëve duhet të shpallë kompaninë fituese.

Kjo do të thotë se brenda pranverës së vitit të ardhshëm do të merret vesh fituesi i projektit dhe kostoja e saktë realizimit të hekurudhës. Më pas, nga nisja e punimeve deri në përfundimin e tyre, afati i përcaktuar është dy vite e gjysmë.

Hekurudha Tiranë-Rinas-Durrës do të ketë gjashtë stacione. Tiranë, Kashar, Rinas, Vorë, Sukth dhe Durrës. Pjesa që do të kërkojë më shumë kohë dhe kosto më të lartë financiare do të jetë trekëndëshi Vorë-Rinas-Kashar, ku në një gjatësi totale prej 39 kilometrash do të ndërtohet çdo gjë nga fillimi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë