Trend

Trendi më i ri në TikTok ku prindërit trembin fëmijën, një marrëzi që duhet të ndalet

Së fundmi TikTok ka nxjerrë një trend të ri me një filter “Fantazmë”.

Prindërit apo një i rritur lë një fëmijë në dhomë duke i fikur dritën dhe mbyllur derën. Në këtë moment shfaqet një fantazmë si filter çka bën që fëmijët të shpërthejnë në lot dhe të bërtitura.

Shpesh herë, prindërit kthehen në dhomë duke qeshur dhe të lumtur që ia arritën qëllimit të tyre.

Por, kudo në botë ka shumë ekspertë që po paralajmërojnë prindërit për efektet negative që ka ky filter tek fëmijët.

Në shumë vende janë kontaktuar zëdhënësit e platformës për të bërë ankesë.

"Disa njerëz e shohin këtë si qesharake, por mund t'ju siguroj se nuk është qesharake kur keni një fëmijë duke dalë nga dhoma duke bërtitur pasi ka parë diçka të tillë", thotë një zyrtar i lartë në Irlandë i cili gjithashtu ka bërë ankesë tek zëdhënësit e TikTok.

“Më duket vërtet alarmante që njerëzit t'i trembin fëmijët në këtë mënyrë dhe t'i lënë ata të bërtasin në një dhomë të mbyllur. Kjo mund të ketë efekte afatgjata mbi ta”.

Për këtë lloj videoje ka reaguar edhe sociologe Marsi Simo e cila me anë të një reagimi në rrjetin social Facebook thotë se këtë lloj loje prindërit apo më të mëdhenjtë as nuk duhet ta mendojnë ta bëjnë, as me shaka.

“Ju lutem as mos e çoni nëpër mend ta bëni këtë video sepse shkaktoni trauma tek fëmijët”, thotë Simo.

Videot e shpërndara në TikTok duke përdorur hashtagun #ghostfilter tregojnë qindra klipe të fëmijëve që tremben nga filtri.

Në një deklaratë, zëdhënsit e TikTok thanë se po monitorojnë videot që postohen me filterit dhe do të fshijnë çdo video që shihet si dëmtim i personave të përfshirë.

“Ne do të heqim përmbajtjet që promovojnë abuzimin dhe ngacmimin e të miturve”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë