Trend

Trendi më i ri në shtëpi: Pacientët po kujdesen vetë për veten

Dy vjet pas një pandemie që ka tensionuar sistemet shëndetësore dhe e ka bërë gati të pamundur rezervimin e takimeve me mjekë për disa, pacientët po kujdesen më shumë për veten e tyre tashmë.

Mjekë të ndryshëm në botë kanë treguar se tani është e vështirë të kujdesen për të gjithë pacientët e tyre dhe kështu kanë gjetur një zgjidhje: DIY (Do It Yourself).

“Ka një lëvizjeje të kujdesit shëndetësor ‘bëjeni vetë’ që është përshpejtuar gjatë pandemisë”, thonë mjekët. Të frustruar nga një sistem shëndetësor i mbingarkuar, më shumë konsumatorë po i drejtohen pajisjeve, aplikacioneve dhe testeve që bëhen në shtëpi, shërbime që më parë i merrnin në qendra spitalore.

Tashmë njerëzit janë duke monitoruar presionin e tyre të gjakut, duke kryer EKG, duke gjurmuar nivelet e sheqerit dhe kolesterolit në gjak dhe duke shpuar gishtat e tyre për analizat e gjakut që zakonisht bëhen te mjeku.

Shumë mjekë mbështesin pacientët që marrin më shumë përgjegjësi për kujdesin e tyre, por paralajmërojnë se shumë DIY pa udhëzime ekspertësh mund të sjellin probleme të mëdha shëndetësore. Pavarësisht nga këto shqetësime, më shumë mjekë rekomandojnë që pacientët të kryejnë të paktën disa shërbime të vogla sepse mungesa e stafit dhe lodhja e të tjerëve do të thotë se është e pamundur që të marrin të gjithë shërbimin që duan.

“Unë u them pacientëve të mi, ‘Ju jeni linja e parë e mbrojtjes. Sistemi nuk mund të kujdeset për ju për çdo gjë”, thotë Wendy Wright.

Wright tani u kërkon pacientëve të monitorojnë presionin e gjakut me pajisje që mund të blejnë në farmaci. Ajo u kërkon atyre t'i dërgojnë elektrokardiogramet dhe rishikon të dhënat në fund të çdo dite. Të dhënat në kohë reale reduktojnë nevojën për takime në zyrë dhe përshpejtojnë diagnozat dhe referimet e saj tek specialistët.

Për pacientët e saj me migrenë, ajo rekomandon aplikacione që i ndihmojnë pacientët të ndajnë me të të dhëna si frekuenca dhe kohëzgjatja e dhimbjes së kokës, së bashku me ushqimin e konsumuar ose ndryshimet e motit.

Më parë, pacientët me migrenë rishikonin ose rregullonin medikamentet e tyre çdo dy deri në tre muaj në takime personale. Tani Wright mund të rregullojë ilaçet në dy deri në katër javë. Pacientët fusin të dhënat në aplikacionet e tyre dhe ajo mund t'i shqyrtojë të dhënat dhe të bëjë ndryshime në mjekimin e tyre.

Gjithsesi, monitorimi në shtëpi kanë anët negative dhe shumë mjekë janë të kujdesshëm. Orët inteligjente dhe pajisjet e tjera digjitale që matin, të themi, aktivitetin e zemrës dhe ciklet e gjumit, mund të jenë të dobishme, por jo gjithmonë të sakta, thonë mjekët. As të gjitha testet diagnostikuese.

"Pacientët që deri diku po ndihmojnë në mbarëvajtjen e gjithë sistemit shëndetësor në këto kohë të vështira duhet gjithashtu të jenë shumë të kujdesshëm pasi kam parë që shumë njerëz po vetë diagnostikohen”, thotë Carl Andersen, mjek. Pacientët shpesh shohin ndryshime të vogla në rezultate dhe supozojnë se janë të sëmurë ose ata shohin rezultate që mendojnë se janë normale "kur në fakt në kontekstin e profilit të tyre shëndetësor është më shqetësues".

Vetë testimi dhe kujdesi në shtëpi mund të krijojnë probleme më të mëdha”, thotë Natasha Bhuyan, një mjeke familjare.

Bhuyan u tregon pacientëve se kur duhet të bëjnë analiza rutinë, të tilla si mamografia dhe ekzaminimet e kancerit të zorrës së trashë, pa pasur nevojë të varen nga mjekët për t'u treguar atyre.

"Ajo që bëri pandemia ishte të tregojë se DIY është një model që funksionon edhe në shëndetësi", thotë ajo.

Burimi: Wall Street Journal. Përshtati: Gazeta “Si”


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë