Treg

Tregu i vaksinave është në një “kuti të zezë”

Në tregun e madh të Bashkimit Europian, “ekosistemi” i vaksinave është veçanërisht i ndërlikuar dhe në mënyrë që ai të jetë “i shëndetshëm” duhet të merren parasysh një sërë faktorësh.
Sipas Panos Kanavos, profesor në Shkollën e Ekonomisë në Londër, në praktikë ky ekuacion nuk është shumë i thjeshtë për t’u zgjidhur.
Në aktivitetin e mbajtur ditët e fundit në Gastein, Austri, për kontrollin shëndetësor të vaksinave, ekspertët analizuan kompleksitetin e vaksinave dhe hulumtuan mënyra të ndryshme për të bashkuar liderët botërorë kundër cenimit që ndodh në sistemit të vaksinave. Një ndryshim i thjeshtë mund të ndikojë në të gjithë sistemin.

Panos Kanavos

"Agjencia e përpunimit të vaksinave synon minimizimin e kostos, prodhuesi kërkon maksimizimin e çmimeve, ndërsa qeveria mbulimin më të gjerë të mundshëm në popullatë. Dhe pastaj kemi disa familje që besojnë ato që thonë rrjetet sociale. Ky ekuacion është shumë i vështirë, për t’u zgjidhur dhe kërkon një punë të vazhdueshme,” shprehet Kanavos.
Ndër të tjera ai është shprehur se çdo treg në vendet e BE-së është i ndryshëm dhe kjo gjë është një tjetër problem, pasi përpos gjithçkaje duhet një koordinim shumë i mirë i vaksinave me tregun. Për ekspertin, programet e imunizimit kontribuojnë shumë në qëndrueshmërinë e sistemeve të kujdesit shëndetësor, të cilat aktualisht janë nën një presion të konsiderueshëm.
“Ne duhet të jemi në gjendje t'u përgjigjemi sfidave që mund të ushtrojnë presion në tregun e vaksinave, të tilla si rritja e popullsisë, hezitimi i kryerjes së vaksinave, investimet të tjera optimale dhe kërkesa e paparashikuar nga qeveritë,” shton eksperti
Sipas Kanavos, tregu i vaksinave është në një “kuti të zezë”, pasi mund të duhen 10-15 vjet që një vaksinë të tregtohet në krahasim me ilaçet, për të cilat tani duhen 8-10 vjet.

Vaksinimi i lartë në agjendën e BE-së
Wolfgang Philipp nga Drejtoria e Përgjithshme për Shëndetin dhe Sigurinë e Ushqimit në Komisionin Europian, thotë se rritja e informacionit dhe koordinimi për vaksinimin në të gjithë Europën do të vazhdojë të jetë një përparësi kryesore për Komisionin. Ndërkohë që kërkon nga shefja e re e Shëndetit të BE-së, Stella Kyriakides, të trajtojë çështjen e vaksinimit, duke luftuar lajmet e rreme mbi vaksinat. Vendet anëtare të BE-së miratuan në fund të vitit 2018, një rekomandim të Komisionit Evropian për forcimin e bashkëpunimit, kundër sëmundjeve të parandalueshme nga vaksinat, ndërkohë që ekspertët mendojnë se në këtë rekomandim duhet të përfshihen edhe vendet jo anëtare.
Ky aksion i BE vjen në një kohë kur janë shtuar fushatat kundër vaksinimit, ndërkohë sëmundjet e “harruara” si fruthi janë rishfaqur përsëri.
Sidoqoftë arritja e vaksinimit të të gjithë popullsisë së botës dhe sensibilizimi i njerëzve nuk është një detyrë e lehtë. Në vijimësi të kësaj, ekspertët sugjerojnë që farmacistët mund të luajnë një rol të madh në këtë qasje sepse kanë një kontakt më të afërt me njerëzit.
Për Antonio Gaudioso, sekretar i përgjithshëm në Rrjetin Qytetar Aktiv (organizatë për informimin e qytetarëve), qëllimi kryesor është të kemi qytetarë të informuar, në mënyrë të duhur dhe vaksinat më të mira të mundshme.
"Farmacistët janë më afër me njerëzit. Për shembull, në Itali njerëzit kanë shumë besim në atë çfarë shpjegon një farmacist. Pra, është një pikë fantastike se si qeveritë mund të ndërhyjnë për të rikthyer besimin e qytetarëve tek vaksinat,” shprehet Gaudioso. /Euractiv/


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë