Treg

Tregu i sigurimeve vijon rritjen, kalon 1 mln kontrata në tetor

Nga Gazeta 'SI'- Për 10-mujorin janar-tetor 2022, tregu i sigurimeve kapi vlerën e pothuajse 17.2 mld lekëve, më rritje 9.2% nga një vit më parë. Kontratat në numër, arritën 1.1 mln, duke u rritur me 15% nga e njëjta periudhë e vitit të shkuar.

Tregu mbetet i orientuar tek sigurimet e jo-jetës, që mbajnë 92% të totalit, ndonëse masa është reduktuar. Sigurimet e jetës përbëjnë 8% të totalit.

Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 38.10% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 61.90% të totalit të tregut.

Sigurimet e detyrueshme motorike për 10 mujorin arrtin 10.6 mld lekë, me rritje 11%. Sigurimet vullnetare, arritën 6.5 mld lekë, 7% më shumë se një vit më parë.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë periudhës janar-tetor 2022 siguruan mbi 2.8 mld lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë sigurimet nga zjarri dhe dëmtime të tjera në pronë me rreth 66%, të pasuara nga sigurimi i përgjegjësisë së përgjithshme me 24% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga zjarri dhe forcat e natyrës, gjatë periudhës janar-tetor 2022, vihet re një rritje prej 5.5% e vëllimit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 4.8% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar me periudhën janar-tetor 2021.

Për janar-tetor 2022, dëmet e paguara në tregun e sigurimeve arritën 5.3 mld lekë. Pagesat e dëmeve gjatë periudhës janar-tetor 2022 u ulën me 5% krahasuar me janar-tetor 2021. Pjesa më e madhe e dëmeve të paguara bruto i përket sigurimit motorik me rreth 3.6 mld lekë, apo 67% të totalit të dëmeve të paguara bruto.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë periudhës janar-tetor 2022, arritën në rreth 1.2 mld lekë, duke shënuar një rritje prej 15.22% në krahasim me periudhën janar-tetor 2021.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë