Treg

Covid-19 goditi Sigurimet, 29% më pak kontrata se një vit më parë

Edhe tregu i sigurimeve e përjetoi vitin pandemik si shumë sektorë të tjerë të ekonomisë.

Të dhënat më të fundit të Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare tregojnë se të ardhurat nga primet e shkruara bruto të sigurimit për vitin 2020 kapën vlerën mbi 16,608 milionë lekë, ose 5.73% më pak se viti 2019. Gjatë vitit 2020, numri i kontratave të sigurimit të lidhura arriti në 956,447 me një ulje prej 29.16% krahasuar me vitin 2019.

AMF shpjegon se tregu vazhdoi të mbetet sërish i orientuar tek sigurimet e Jo-Jetës, të cilat sollën 92.93% të vëllimit të përgjithshëm të primeve, duke i lënë sigurimet e Jetës me 7.02%. Parë nga këndvështrimi i ndarjes së tregut sipas llojit të sigurimit, i detyrueshëm dhe vullnetar, primet e shkruara bruto të sigurimit vullnetar zënë 36.18% dhe primet e shkruara bruto të sigurimit të detyrueshëm zënë 63.82% të totalit të tregut.

Gjatë vitit 2020, dëmet e paguara bruto në tregun e sigurimeve, arritën në rreth 7,560 milionë lekë, ose 18.55% më shumë se viti 2019.

Sigurimi i Detyrueshëm Motorik

Primet e sigurimit të detyrueshëm motorik, gjatë vitit 2020 arritën rreth 10,600 milionë lekë, ose 5.55 % më pak se viti 2019.

Produkti MTPL e brendshme, gjatë vitit 2020, pati një rritje prej 4.00% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua edhe me një rritje të numrit të kontratave prej 5.80% krahasuar me vitin 2019.

Produkti Karton Jeshil gjatë vitit 2020, pati një ulje prej 41.76% të volumit të primeve të shkruara bruto. Kjo u shoqërua nga një ulje të numrit të kontratave prej 60.24% krahasuar me vitin 2019.

Produkti Sigurim Kufitar, gjatë vitit 2020, pati një ulje 55.47% të volumit të primeve të shkruara bruto krahasuar me vitin 2019. Edhe numri i kontratave u ul me 63.28%.

Sigurimi Vullnetar

Sigurimi vullnetar ishte ai që vuajti më shumë krizën gjatë vitit pandemik, pasi edhe në kohë normale njerëzit nuk janë shumë të orientuar drejt këtij sigurimi. Primet e sigurimit vullnetar, gjatë vitit 2020 arritën rreth 6,008 milionë lekë, 6.06% më pak se viti 2019. Numri i kontratave të sigurimit vullnetar u ul me 43.80% krahasuar vitin 2019. Primet e sigurimit vullnetar të Jo-Jetës gjatë vitit 2020, patën ulje me 5.50% kundrejt vitit 2019.

Në portofolat e Pronës, Përgjegjësive, Garancive të cilat gjatë vitit 2020 siguruan mbi 2,790 milionë lekë të ardhura në total, vendin e parë e zunë Zjarri dhe Dëmtime të Tjera në Pronë me rreth 59.62%, të pasuara nga sigurimi i Përgjegjësisë së Përgjithshme me 30.76% të totalit.

Në portofolin sigurimi nga Zjarri dhe Forcat e Natyrës, gjatë vitit 2020, vihet re një ulje prej 5.08% e volumit të primeve të shkruara bruto të këtij portofoli dhe një rritje me 3.98% e numrit të kontratave të sigurimit, krahasuar vitin 2019.

Të ardhurat nga sigurimet e Aksidenteve dhe Shëndetit, gjatë vitit 2020, arritën në rreth 1,051 milionë lekë, duke shënuar një ulje prej 11.20% në krahasim me vitin 2019.

Primet nga sigurimet e Jetës gjatë vitit 2020, arritën rreth 1,165 milionë lekë, ose 4.15% më pak se viti 2019.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë