Treg

“Kamionët në dogana dezinfektim me lekët e tyre, përndryshe tregtarët gjobiten”

Në kuvend është paraqitur një projektligj nga deputeti Edmond Stojku në kuadër të masave për të parandaluar përhapjen e Covid-19.

Në fakt projektligji i bën disa ndryshime ligjit “Për parandalimin e  sëmundjeve infektive”, ku shtohen detyrime ndaj tregtarëve për të dezinfektuar kamionët e transportit të mallrave.

Referuar projektligjit, kërkohet që Ministria e Shëndetësisë dhe autoritetet doganore të instalojnë pajisje tunele të përshtatshme për dezinfektimin e mjeteve të transporti ndërkombëtar të mallrave, kabinave të tyre dhe kontejnerëve në pikat e kalimit kufitar tokësor, detaj e ajror për të siguruar parandalimin e hyrjes së sëmundjeve të rrezikshme dhe sipas një protokolli të hartuar nga Instituti i Shëndetit Publik.

Projektligji urdhëron që shpenzimet e dezinfektimit të përballohen nga operatori i biznesit përgjegjës për ngarkesën, ndërkohë që tarifat do të përcaktohen nga Këshilli i Ministrave.

Në rast refuzimi nga ana e tregtarëve, projektligji parashikon masa ndëshkuese; që nga gjoba e deri te mbyllja e aktivitetit.

“Refuzimi për vendosjen nën dezinfektim të mjeteve të transportit ndërkombëtar të mallrave, kabinave të tyre dhe kontejnerëve dënohet me 50 mijë lekë për operatorin tregtar objekt i mbikëqyrjes së dezinfektimit dhe 100 mijë lekë për punëdhënësin si subjekt i mbikëqyrjes së dezinfektimit”, thuhet në projektligj

Në rast të përsëritjes së shkeljeve administrative nga operatori tregtar, masa administrative është mbyllja e aktivitetit.

Ndryshimet do të diskutohen në komisionet parlamentare e mandej do të votohen në parlament në një nga  seancat e radhshme plenare.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë