Njerez

Tre vitet e fundit po vdesin më shumë fëmijë shqiptarë

jane rritur vdekshmerite

Tre vitet e fundit në Shqipëri është rritur vdekshmëria e fëmijëve.

Kjo është ajo çfarë vërehet në një raport të Institutit të Shëndetit Publik. Të dhënat merren në konsideratë edhe në një raport të UNICEF dhe nga INSTAT.

Vdekshmëria nën 5 vjeç në Shqipëri raportohet si 11/1000 lindje të gjalla dhe “të gjithë treguesit e vdekshmërisë së fëmijëve kanë pasur rritje në 3 vitet e fundit.”

Ekspertët e shëndetit i veshin fajin mangësive në kujdesin shëndetësor të nënave dhe fëmijëve, ushqyerja jo e duhur e grave dhe fëmijëve dhe diagnostikimi me vonëse i një sërë sëmundjeve apo çrregullimeve me bazë gjenetike.

Nga të dhëna të ndryshme bëhet me dije se në Shqipëri gjatë viteve të fundit ka pasur shtim të rasteve të fëmijëve, të cilët vuajnë nga leukemia dhe një pjesë e tyre kanë humbur jetën.

Shqipëria, një nga vendet me më shumë vdekje nga kanceri

Gjatë vitit 2020, në Shqipëri kanë humbur jetën 29% e fëmijëve me kancer. Në total, mbi 100 fëmijë (0-19-vjeç) u diagnostikuan me kancer gjatë këtij viti.

Organizata Botërore e Shëndetësisë e rendit vendin tonë në vendin e gjashtë mes 48 vendeve në Europë dhe Azi për vdekjet e fëmijëve nga kanceri gjatë këtij viti.

Sipas OBSH, në vendet e zhvilluara, 80% e fëmijëve të diagnostikuar me kancer e mposhtin sëmundjen, ndërsa në vendet me të ardhura të ulëta dhe të mesme shërohen më pak se 30% e fëmijëve që vuajnë nga sëmundjet tumoriale.

Në parashikimin e OBSH-së për periudhën 2020-2050, në nivel global do të ketë 13.7 milionë fëmijë të diagnostikuar me kancer prej të cilëve rrezikojnë të humbasin jetën 11.1 milionë fëmijë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë