Arsim

Shuplaka e fortë: Në 4 vjet asgjë nuk është bërë për t’u mundësuar fëmijëve çerdhe dhe kopshte

Fëmijët e moshës parashkollore në Shqipëri shpesh e kanë të pamundur të shkojnë në çerdhe apo kopsht.

Diçka e tillë pohohet nga vetë raporti i Agjendës Kombëtare për të Drejtat e Fëmijës në Shqipëri.

“Nënat janë shpesh burimi kryesor i përkujdesjes veçanërisht për moshat parashkollore 0–6 vjeç. Pamundësia për të siguruar një lloj tjetër përkujdesje alternative për këtë grup-moshë, shpesh sjell që nënat të rrinë në shtëpi më fëmijët e tyre dhe të mos kenë mundësi për punësim.”, nënvizohet mes të tjerash në raport, ndërsa theksohet se situata paraqitet veçanërisht e vështirë kur nëna është prind i vetëm dhe nuk ka mundësi ku ta lerë fëmijën.

Por vërshtirësitë lindin edhe nga mungesa e kapaciteteve.

“Ka bashki që nuk e ofrojnë fare këtë shërbim. Krahas rritjes së numrit të çerdheve dhe kopshteve publike (të cilat synohen nga prindërit për arsye të pagesave ekonomike, krahasuar me kopshtet private) është e rëndësishme të subvencionohet kjo pagesë për fëmijët e familjeve të varfra me qëllim rritjen e aksesit në këtë shërbim dhe për të mbështetur punësimin e prindit ekonomikisht aktiv.”, - vijohet më tej në raport.

Shqetësuese në këndvështrimin e fëmijëve mbetet edhe fakti i frekuentimit të institucioneve parashkollore nga grup-mosha e fëmijëve 3-6 vjeç.

Shumë prej fëmijëve të kësaj grup-moshe, të cilët jetojnë në zona të largëta nga qendrat e banuara, për shkak të mungesës së infrastrukturës, transportit nuk janë në gjendje të aksesojnë kopshtin. Fëmijët autik, rom apo egjiptian dhe të varfër përballen shumë herë me frikën nga paragjykimi në mjediset e shkollës.

Raporti i monitorimit të Agjendës së mëparshme të Fëmijëve shpreh qartazi se masat e planifikuara për këtë grup-moshë mbetën të parealizuara dhe pjesa më e madhe e institucioneve të ngarkuara me përgjegjësi, nuk raportuan asnjë masë gjatë katër viteve.

“Ka ardhur momenti për të rikonceptuar politikat sektoriale dhe mekanizmat ndërsektorialë për të hartuar, zbatuar dhe monitoruar masa efektive për fëmijët e kësaj grup-moshe dhe familjet e tyre.”, vërejnë hartuesit e raportit.

Që prej 2015-ës arsimi parashkollor administrohet nga pushteti vendor, por ata shpesh nuk kanë kapacitet dhe as financa.

Sipas Kornizës së Edukimit dhe Trajnimit 2020, të paktën 95% e fëmijëve (nga mosha 4 vjeç deri në moshën e arsimit të detyrueshëm shkollor) duhet të marrin pjesë në edukimin e fëmijërisë së hershme.

Sipas të dhënave buxhetore nga Ministria e Financave shpenzimet për arsimin fillor ranë me gjashtë pikë përqindje midis 2015 dhe 2019, ndërsa shpenzimet për arsimin e mesëm u rritën pak, por shpenzimet e përgjithshme për arsimin parauniversitar ranë në terma absolutë dhe relativë.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë