Art dhe Kulture

“Tre shqiptarë, tri vende, tri gjuhë…një finale”

Një finale, tre shqiptarë, tre vende të ndryshme! Kështu e titullon Dw artikullin kushtuar këngëtarëve shqiptarë në Eurovizion, të publikuar në edicionin e saj online në versionin gjermanisht.

Shqipëria vetë prezantohet me një baladë rock, por prezenca e dy këngëtarëve të tjerë, një që përfaqëson Italinë dhe një që përfaqëson Qipron, tregon historinë dramatike të emigracionit të vendit të vogël në Ballkan.

Lindën që të gjithë në Shqipëri, por në Eurovizion do të këndojnë në tre gjuhë të ndryshe. Eugent Bushpepa do të këndojë në gjuhën e vet amtare, Ermal Meta në gjuhën e vendit që e mirëpriti, italisht, ndërsa Eleni Foureria do të këndojë anglisht, por për Qipron.

Eugent Bushpepa u kualifkua pa probleme për në finalen e madhe, po ashtu edhe Eleni. Kjo e fundit kishte provuar dy herë më parë për të përfaqësues Greqinë në Eurovision Song Contest, por që të dyja herët kishte dështuar. E treta e vërteta iu ofrua nga Qipro, me këngën “Fuego”.

Jeta e tre artistëve shqiptarë pasqyron amullinë në të cilën u fundos shoqëria e vendit pas rënies së komunizmit, ku shumë njerëz u larguan nga vendi, siç bënë prindërit e Eleni Foureras dhe Ermal Metas.

Eleni Fourera, e njohur ndryshe edhe si Beyonce e Greqisë, u rrit në një familje të thjeshtë shqiptarësh, që emigruan në Athinë, atëherë me emrin Entela Fureraj. Si shumë shqiptarë të tjerë, edhe ajo adoptoi një emër grek dhe fillimisht u përpoq të fshehë origjinën e saj.

Albumin e parë e publikoi në vitin 2010 dhe shpejt arriti majat e klasifikimeve dhe të shitjeve në Greqi. Në 2017 publikoi albumin e saj të katërt dhe u dha fund zërave për origjinën e saj.

“Isha dëshmitare e diskriminimit të të huajve në shkolla dhe po ashtu edhe kur nisa të bëj hapat e parë në industrinë e muzikës dhe nisa t’u them që jam shqiptare”, rrëfente ajo në atë kohë.

DW kujton foton e famshme të Elenit me Eugent Bushpepën, ku të dy formojnë shqiponjën me duar. Pikërisht ky simbol, kujton media gjermane shkaktoi zemërim në disa qarqe publike e shoqërore në Greqi, pasi e interpetojnë këtë si simbol të Shqipërisë së Madhe.

Menjëherë në drejtim të profileve të saj mbërritën komente kërcënuese dhe diskriminuese. Ajo rrëfeu disa prej tyre për mediat qipriote. Një prej komenteve ishte: “U bërë e famshme me paratë e grekëve, çfarë do të thotë ajo shqiponja dykrenare?”. Përgjigjja e qetë e Elenit nuk mungoi. “Jam deri këtu falë punës time të palodhshme dhe vendosmëri”, i kthehet ajo.

Ermal Meta (majtas) dhe Fabrizio Moro (djathtas) performojnë në gjysmëfinalen e parë të Eurovizion

Më pas, DW ndalet tek Ermal Meta. Edhe Ermalit iu desh të punojë shumë për të arritur suksesin. Kur e ëma emigroi në Itali së bashku me fëmijët e saj, Ermali ishte vetëm 13 vjeç. Në Shqipëri kishte ndjekur gjithmonë Sanremon, festivalin e famshëm të muzikës italiane dhe ëndërronte që një ditë të këndonte atje.

Ëndrra iu realizua në vendin e tij të ri, që e priti. Fillimisht mori pjesë si anëtar i bandës Ameba 4, në vitin 2006 dhe më pas në 2010 si “Prurja e re” me La Fame diCamilla. Që prej 2013 punon i vetëm, kryesisht si kompozitor për shumë këngëtarë të njohur italianë. Në 2016 fiton çmimin e artistit të ri më të mirë me këngën “Odio le Favole” (Urrej përrallat).

Viti pasaardhës ishte akoma më i suksesshëm për të. Fiton çmimin e tretë dhe vlerësimin “Mia Martini” të dhënë nga kritika për këngën “Vietato Morire” (Ndalohet të vdesësh).

Deri më tani ka publikuar tre albume, ndërsa me këngën “Non mi avete fatto niente”, një bashkëpunim me Fabrizio Moron fitoi çmimin e parë të Sanremos këtë vit dhe të drejtën për të përfaqësuar Italinë dhe italianët në Eurovizion. Kënga u kushtohet viktimave të terrorit në Europë dhe është një thirrje kundër luftës dhe dhunës.

Eugent Bushpepa këndon "Mall" në gjysmëfinalen e parë të Eurovizion

Në fund, Eugent Bushpepa. DW e cilëson një rocker të suksesshëm. Kujton se edhe Eugent Bushpepa udhëtoi në Itali për të studiuar mjekësi, por u rikthye në atdhe. Mallëngjimi për të dashurën e tij, shkroi këngën “Mall”, me të cilën përfaqëson Shqipërinë në Eurovizion.

Në vitin 2007 përjetoi ngjitjen më të madhe në skenë, kur së bashku me bandën e vet këndoi në koncertin hapës të Deep Purple. Ka krijuar profilin e vet orgjinal dhe vlerësohet nga shumë këngëtare të mëdhenj ndërkombëtarës, si Guns N’Roses. Në 2014m grupi Darkology e bëri pjesë të turit të vet.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë