Futboll

Tre mijë tifozë festojnë për titullin e Interit në “San Siro”

Grumbullime të mëdha tifozësh, por të paktën duke respektuar mbajtjen e maskës. Festa e një pjese të tifozëve të organizuar të Interit, që kishin në dispozicion një hapësirë për një numër jo më shumë se 3 mijë persona, është zhvilluar sipas udhëzimeve të dhëna në ditët e fundit. Kjo festë nisi rreth orës 14:00, pas kontrollit të çantave dhe dokumenteve të identitit. Më pas nisën koret, në pritje të skuadrës, që mbërriti në “Meazza” rreth orës 16:35 për të sfiduar Sampdorian.

Mes koreve më të nxehta ishin "kampionët e Italisë jemi ne”, që nuk mungon kurrë, pastaj talljet klasike ndaj milanistëve dhe juventinëve. Të gjithë tifozët mbanin një fanellë të zezë të realizuar nga “Curva Nord”, me trengjyrëshin në qendër. Nga pikëpamja e sigurisë, për fat të mire, asgjë e pahijshme për t’u shënuar. Gjendeshin aty ambulanca dhe forcat e rendit, përveç një helikopteri që monitoronte zhvillimin e këtij manifestimi.

Interi feston fitoren ndaj Sampdorias. Gazeta Si, 8 maj 2021

Interi u prit me thirrjet "kampionët e Italisë jemi ne”. Skuadra erdhi me dy autobusë nga Appiano Gentile. Tifozët u përqendruan te piktura në mur e dedikuar Romelu Lukakut, sidomos nga prindërit që deshën t’u bënin foto fëmijëve pranë bomberit belg, ndërkohë që ish-lojtarët zikaltër, Ikardi dhee Ibrahimoviç, nuk u kursyen nga populli interist me fjalë jo të këndshme. Kjo festë ishte një lloj nxemjeje para asaj zyrtare, që është programuar më 23 maj, kur luhet Inter-Udineze.

Ndeshja me Sampdorian u fitua thellë nga Interi, 5-1. Golat për zikaltërit u shënuan nga Galiardini, Sançez (2), Pinamonti dhe Lautaro Martinez. Napoli i Elseid Hysajt, titullar bashkë me Amir Rrahmanin, ka mundur 1-4 Specian e Ardjan Ismajlit, gjithashtu në fushë nga minuta e parë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë