Rend dhe Ligj

Tre këshilltare ligjore të Kushtetueses në garë për anëtare të gjykatës

Të paktën njëra mes Arta Vorpsit, Fiona Papajorgjit dhe Elsa Toskës me gjasë do të gradohet nga këshilltare ligjore pranë Gjykatës Kushtetuese, në anëtare të saj. Këshilli i Emërimeve në Drejtësi përfundoi të martën renditjen e kandidaturave sipas skemës së pikëzimit.

Në fund të vlerësimit të KED, Arta Vorpsi ka marrë më shumë pikë, 89.61 pikë, pasuar nga Fiona Papajorgji, Elsa Toska, Besnik Muçi, Marsida Xhaferllari dhe Regleta Panajoti. Sipas parashikimeve të ligjeve të miratuar në kuadër të reformës në drejtësi, KED duhet të dorëzojë listën me të paktën tre anëtare në Presidencë dhe Kuvend.

Vorpsi, Papajorgji dhe Toska kanë kaluar që të trija shkallën e parë të vettingut dhe vendimi i KPK-së ka marrë formë të prerë pasi nuk është apeluar në Kolegjin e Posaçëm të Apelimit.

Lista përfundimtare do të miratohet në mbledhjen e radhës të KED dhe më pas do t’i dorëzohet Presidentit dhe Kuvendit. Dy institucionet duhet të zgjedhin një mes tre emrave të renditur të parët nga ana e Komisionit të Emërimeve në Drejtësi. Nëse, as Presidenti dhe as Kuvendi nuk arrijnë që të zgjedhin njërin mes këtyre emrave, atëherë emri i renditur i pari zgjidhet automatikisht anëtar i Gjykatës Kushtetuese.

Procesi përsëritet për çdo vakancë të Gjykatës Kushtetuese, tre për Presidentin, tre për Kuvendin dhe tre për Gjykatën e Lartë. Aktualisht, Gjykata Kushtetuese ka si anëtare vetëm Vitore Tushën, ndërkohë, që nuk pritet që në një hark kohor të shkurtër trupa e saj të ngrihet e plotë për shkak të mungesës së Gjykatës së Lartë.

Në mbledhjen e së martës, KED i ndaloi sërish kandidimin gjyqtares Zhaklina Peto, emri i së cilës u rikthye në tryezën e kandidaturave pas vendimit të Gjykatës Administrative për ta përfshirë në garën për anëtare të Gjykatës Kushtetuese. KED e kishte skualifikuar mbi dyshimet për probleme me pasurinë dhe me të njëjtin arsyetim e skualifikoi sërish.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë