Politike

Tre herë u lut sot Rama

Mentor Kasa-Pak pasi studentët ishin grumbulluar para Ministrisë së Arsimit dhe para dyerve qendrore të zyrës së tij, Kryeministri Edi Rama ripërsëriti përmes rrjeteve sociale thirrjen për dialog drejtuar studentëve protestues.

Përmes Facebook, ai theksoi edhe njëherë zotimin për realizimin e tetë pikave, kërkoi që të mos humbet më kohë dhe ironizoi kreun e PD-së dhe atë të LSI-së.

“Adresimin e 8 pikave duhet të nisim pa humbur kohë. Kemi punë për të bërë dhe nëse doni që uljen e tarifave ta mbyllim para pushimeve tuaja të Vitit të Ri, s'ka realisht minuta për të humbur me llogjet e kazanëve dhe rrugët shkencore të Doktoreshë Monës e të Profesor Lulit”, shkroi Kryeministri.

Rama thotë thotë se nuk ka asnjë kusht për të dialoguar me studentët, as për vendin, as për kohën. Por, nëse Kryeministri s’ka asnjë kushte, studentët e kanë një dhe nga i cili nuk tërhiqen. Menjëherë sapo u përhap fjala mes protestuesve para Ministrisë së Arsimit dhe të atyre para Kryeministrisë, thirrjet ishin të njëjta: “Jo negociata” dhe “Plotëso 8 pikat”.

Nisur nga përgjigja e marrë në distancë, shefi i Qeverisë iu drejtua sërish rrjeteve sociale për të ripërsëritur lutjen për dialog. Këtë herë, përmes Twitteri-t ai thotë se i kishte bërë përshtypje fjala e një studenteje.

“Një vajzë sapo tha s'duam të lutemi (në fakt lutem unë:-)po duam të na plotësohen 8 pikat pa dialog! Dmth s'duam të bisedojmë për kërkesat tona, po duam të bërtasim deri në plotësimin e tyre!Në cilën familje ecën kjo logjikë? Në familjen tonë të madhe jo njëherë, prandaj dialog”, shkruan ai.

Pak orë pas kësaj thirrjeje të dytë, disa studentë të Fakultetit Filologjik dhe të atij të Ekonomisë thanë për gazetën “Si” se përmes grupeve të WhatsApp-it kishin nisur përzgjedhjen e përfaqësuesve të tyre për çdo degë për dialogun me Kryeministrin.

Procesi i zgjedhjes është në fazë fillestare dhe nuk mund të parashikohet nëse përfaqësuesit do të zgjidhen në çdo degë, fakultet apo universitet, ndaj për Ramën edhe dita e 8-të e protestës masive studentore është kohë e humbur dhe ai reagoi sërish pas mbledhjes së Qeverisë.

“Një tjetër ditë e humbur me arsyen e Mosarsyes: Kam kërkesa po s'dua të flas për to, prandaj m'i plotëso! Kështu funksionon në Klinikën e Doktorreshë Monës, në Gjumin e Lul Artistit, në Megafonin e Profesor Qorrit,po jo në mësimet e demokracisë e të prindërve tuaj. Unë ju pres!”, shkroi ai sërish në Twitter.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë