Politike

Tre arsye pse urdhri i Joe Biden duket si i kopsitur posaçërisht për Shqipërinë

Një cicërimë e Ambasadores Yuri Kim në orët e mbrëmjes së të martës, ku njoftonte amendimin e një urdhri ekzekutiv presidencial nga ana e Presidentit Joe Biden u përhap me shpejtësi në media, që raportuan kryesisht me titujt që “Shqipëria futet në listën e bllokimit të pasurive për zyrtarët që cenojnë stabilitetin në Ballkan”.

Por, lajmi në vetvete nuk duket se është ky. Nga një lexim i ftohtë i urdhrit të ri ekzekutiv të Presidentit amerikan dhe një krahasim me urdhrin fillestar që ai modifikoi, që daton prej 27 qershorit 2001 dhe firmosur atëherë nga Presidenti George W. Bush, kupton më shumë se ky akt duket sikur është kopsitur posaçërisht për Shqipërinë.

Pse? Ka tre elementë thelbësorë që të çojnë në këtë përfundim. Së pari është ajo që raportuan të gjitha mediat; përfshirja e Shqipërisë në juridiksionin territorial të këtij urdhri që subjekt ka personat, për të cilët Uashingtoni mund të vlerësojë se cenojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Deri më tani, në shënjestër të këtij urdhri kanë qenë vendet e ish-Jugosllavisë, ndërsa “viktima” të ndalimit të hyrjes janë përfolur edhe emra të njohur të politikës shqiptare në Maqedoninë e Veriut dhe Kosovë. Në Kosovë përflitet se pjesë e kësaj liste janë Azem Syla, Daut Haradinaj, Emrush Xhemaji, Fatmir Limaj, Rrustem Mustafa dhe Sami Lushtaku, ndërsa në Maqedoninë e Veriut ka vite që në listën e zezë është Menduh Thaçi dhe është përfolur herë pas here edhe për Ali Ahmetin.

Sa e gjatë është kjo listë vetëm mund të hamendësohet përsa kohë nuk ka një publikim nga vetë autoritetet amerikane, por është e sigurtë që emrat e përfshirë në të nuk janë përfshirë për akuzën e korrupsionit, por të klasifikuar si persona që cenojnë stabilitetin në Ballkanin Perëndimor.

Së dyti, urdhri origjinal i Presidentit George W. Bush, i nënshkruar më 26 qershor 2001 dhe hyrë në fuqi një ditë më vonë nuk përmend në asnjë rresht të tij fjalën “korrupsion”, por shenjëstron vetëm elementët që sipas SHBA mund të cenojnë stabilitetin dhe paqen në Ballkanin Perëndimor.

Për ta kuptuar këtë duhet kthyer pas në kohë. Në kohën e firmosjes së këtij urdhri, në Maqedoninë e Veriut luftohej mes UÇK-së dhe forcave maqedonase, ndërsa në Preshevë konflikti mes UÇPMB-së dhe ushtrisë serbe sapo ishte mbyllur.

Urdhri i Bush interpretohej në atë kohë edhe si formë presioni e SHBA për të ulur në tryezën e bisedimeve palët e përfshira në konflikt, bisedime që më vonë do të prodhonin marrëveshje mes shqiptarëve dhe serbëve për konfliktin në Preshevë, të nënshkruar në Konçul të Bujanocit në fillim të 2001-it dhe marrëveshjen e Ohrit mes shqiptarëve dhe maqedonasve, të nënshkruar në gusht të 2001-it.

Së treti, Ambasada e SHBA në Tiranë sqaroi se urdhri i ri ekzekutiv autorizon përdorimin e sanksioneve për personat e përfshirë në korrupsion, edhe si pjesë e strategjisë së Presidentit Biden për t’i shpallur luftë në mbarë botën këtij fenomeni.

Por, në këtë urdhër vetëm Shqipëria përmendet drejtpërdrejtë, ndërsa vendet e tjera të rajonit përfshihen në termin arkaik “ish-Republika Jugosllave”. Kjo “anomali” mund të jetë edhe teknike dhe një “harresë” e ekipit të Biden për të amenduar edhe këtë pjesë të urdhrit të Bush. Kjo pak rëndësi ka. Ajo që ka rëndësi është se në këtë urdhër Shqipëria është i vetmi vend që përmendet në emër.

Urdhri i përditësuar i Presidentit të SHBA-së vjen në një kohë kur në vend ende është i freskët vendimi i DASH për shpalljen “non grata” të ish-kryeministrit Sali Berisha. Më herët, SHBA ka listuar në listën e zezë edhe kryetarin e PSD-së, Tom Doshi, i cili për shkak të këtij debati (kryesisht këmbëngulës nga ambasada amerikane në Tiranë) u detyrua të japë dorëheqjen nga mandati i deputetit menjëherë pas 25 Prillit.

SHBA ka shpallur "Non Grata" edhe ish kryeprokurorin e Shqipërisë Adriatik Llalla dhe ish kryebashkiakun e Durrësit, Vangjush Dako.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë