Ka ndodhur

Transportonin emigrantë të paligjshëm, arrestohen 4 persona në Gjirokastër

Policia e Gjirokastrës brenda pak orësh ka goditur 2 raste të aktivitetit kriminal në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, duke arrestuar 4 persona.

Në sajë të operacionit policor “Muzgu”, u vunë në pranga shtetasit D. B., 29 vjeç, A. R., 37 vjeç dhe J. Sh., 36 vjeç, banues në Elbasan.

Policia thotë se përgjatë aksit rrugor Kakavijë-Gjirokastër, janë arrestuar shtetasit D. B., A. R. dhe J. Sh., të cilët, me dy mjete në bashkëpunim me njëri-tjetrin, në afërsi të fshatit Vanistër, u kapën duke transportuar 5 shtetas të huaj në drejtim të Tiranës, me mjetet autoveturë tip “Ford” dhe “Volkswagen”.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan dy automjetet.

Ndërkohë është goditur edhe një tjetër rast i veprimtarisë kriminale në fushën e dhënies ndihmë shtetasve të huaj për kalim të paligjshëm të kufirit, kundrejt fitimit. Në pranga janë vënë shtetasit F. D., 18 vjeç, banues në Durrës.

Sipas policisë, 18-vjeçari u kap në aksin rrugor Çarçovë-Përmet, në afërsi të fshatit Munishtir, duke transportuar 6 shtetas të huaj me një mjet tip fugon të marrë me qira, të cilin e drejtonte pa leje drejtimi.

Materialet i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Gjirokastër dhe Prokurorisë pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Përmet, për veprime të mëtejshme.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë