Ka ndodhur

Transportonin 7 klandestinë, arrestohen 3 persona në Korçë

Tre të rinj kanë përfunduar në prangat e policisë së Korçës, në kuadër të operacionit policor “Perimetri”, ku gjatë shoqërimit të tyre në Komisariat ka pasur dhe momente tensioni.

Sipas policisë, tre të ndaluarit nuk iu bindën urdhrit të punonjësve të Policisë për të ndaluar dhe njëri prej tyre i kundërshtoi ata me dhunë, gjatë shoqërimit për në Komisariat.

Të arrestuarit janë të rinjtë: E. L., 28 vjeç, banues në Shkozet, Durrës; E. M., 29 vjeç, banues në Durrës dhe R. H., 24 vjeç, banues në Kavajë.

“Shërbimet e Policisë, pas informacioneve të siguruara në rrugë policore se disa shtetas do të transportonin me dy mjete në drejtim të Tiranës, emigrantë të paligjshëm, kanë organizuar punën dhe bënë të mundur lokalizimin e mjetit tip ‘ML’ me drejtues shtetasin E. M. dhe mjetit tip ‘Benz’ me të cilin po udhëtonin dy shtetasit R. H. dhe E. L., të cilëve punonjësit e Policisë iu kanë bërë me shenjë të ndalonin, por këta shtetas nuk i janë bindur urdhrit të tyre për të ndaluar dhe janë larguar me shpejtësi”, thuhet në njoftimin e policisë.

Policia thotë se është vënë në ndjekje të dy mjeteve dhe ka bërë të mundur ndalimin e tyre dhe prangosjen e 3 shtetasve.

Gjatë kontrollit, në mjetin tip “ML” u gjetën 7 emigrantë të paligjshëm, të cilëve, këta shtetas, në bashkëpunim mes tyre, kundrejt fitimit, iu kishin premtuar kalimin drejt vendeve të BE-së.

Materialet në ngarkim të tyre i kaluan Prokurorisë të Rrethit Gjyqësor Korçë për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, kryer në bashkëpunim, “Kundërshtimi i punonjësit të policisë së rendit publik” dhe “Mosbindja ndaj urdhrit të punonjësit të policisë së rendit publik”.

https://www.facebook.com/policiashtetitshqiptar/posts/2899677930318559

Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë