Treg

Transporti urban nuk do të fillojë: lojë e dyfishtë e qeverisë

Bizneset e transporti urban dhe rrethqytetas janë të vendosur që nuk do të fillojnë nga puna derisa të ulen në tryezë me ministrinë dhe bashkinë Tiranë për të diskutuar plotësimin e kërkesave.

Një ditë më parë kreu i Bashkisë Tiranë Erion Veliaj i paralajmëroi se "nëse Transporti Urban nuk nisë punë, shoqërive do tu hiqet licenca".

Për këtë deklaratë, Eneo Sulejmanaj, kreu i  Shoqatës Transporti Ndërqytetas dhe Rrethqytetas i Udhëtarëve thotë se në konsultim me juristin e shoqatës, sipas ligjit Bashkia nuk e ka këtë të drejtë brenda 30 ditësh, “prandaj ne po këmbëngulim në një takim si me ministrinë, ashtu edhe me bashkinë sepse TVSH dhe akciza janë nën varësi të Ministrisë. Ministria nuk duhet të tërhiqet duke thënë se transporti ndërqytetas që ka ajo në varësi ka nisur punën. Të gjithë janë në varësi  të ministrisë”.

Sulejmanaj shpjegon se përfaqësuesit e transportit kanë arsye të logjikshme pse nuk fillojnë punën.

“Plus nuk ka asnjë shoqëri tjetër të disponojë mjetet tona dhe asnjë shoqëri nuk mund të plotësojë dhe zbatojë kërkesat e protokollit të sigurisë anti COVID-19. Është e pamundur. Unë mendoj personalisht që këto janë presione dhe lojë e qeverisë me dy porta sepse për vetë situatën aktuale të rritjes së numrit të të infektuarëve me COVID-19 nuk do të hapë realisht transportin publik sepse ka frikë mos shtohen më tej rastet”- thotë Sulejmanaj.

Shoqatat kërkojnë nga qeveria një bonus shtesë për punonjësit prej 40 mijë lekësh, heqjen e akcizës së naftës, heqjen e TVSH për këtë vit dhe uljen e saj në vazhdim dhe korrigjimin e protokollit të sigurisë.  

Ata thonë se e kanë të pamundur të nisin me kushtet aktuale duke zbatuar protokollin e sigurisë sepse shpenzimet janë më të larta se të ardhurat.

“Nuk ka mundësi financiare të nisë. Disa mund të thonë që qeveria ju fali karburantin. Qeveria nuk ka falur asgjë deri tani përveccse taksës vjetore të mjeteve që është e papërfillshme për situatën ku ndodhemi”- thotë Rexhin Qoshja, kreu  I Shoqatës Kombëtare të Transportit Publik.

Sipas përfaqësuesëve të shoqatve, nëse Ministria e Infrastrukturës dhe Bashkia Tiranë nuk i pret në takimin e kërkuar prej kohësh, qëndrimi i tyre do të përshkallëzohet duke e shtyrë akoma më tej nisjen e punës dhe duke dalë në protesta të vazhdueshme.

Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë