Treg

Transporti: S’nisim pa subvencion financiar. Qeveria: S’është gati protokolli i sigurisë

Burime të Gazetës “Si” pohojnë se kompanitë e transportit urban kanë refuzuar të rinisin aktivitetin e tyre, pasi nuk e përballojnë dot nga ana financiare që të punojnë me kapacitet të reduktuar deri në 30%. Që prej ditës së mërkurë, në tryezën e kryeministrit qëndrojnë kërkesat e transportit urban dhe atij ndërqytetas për një zgjidhje financiare, me qëllim që transporti publik të nisë sa më shpejt nga puna sepse ka paralizuar jetën e shumë qytetarëve, si të atyre që e kanë të domosdoshëm këtë shërbim, por edhe të punonjësve të sektorit që nuk kanë të ardhura për të mbijetuar. Por ndërkohë qeveria shprehet se ende nuk është detajuar dhe përfunduar protokolli i sigurisë lidhur me këtë sektor.

Rixhin Qoshja kreu i Shoqatës së Transportit Urban shkruan në llogarinë e tij në facebook “Është koha të mendojmë një zgjidhje për një nga sektorët më të goditur të momentit si edhe më thelbësori i mirëfunskionimit të qytetit”.

Kujtim Mema, Shoqata e Transportit Ndëqytetas

Ndërsa Kujtim Mema, kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas, shprehet se deri tani janë bërë shumë biseda me qeverinë. "Ne tre gjëra kërkojmë; ulje të TVSh-së nga 20% në 8 ose 6%, heqje të akcizës së naftës dhe heqjen e taksave të Bashkisë. Kemi kërkesa të përbashkëta me transportin urban. Kërkesat janë në zyrën e kryeministrit, por nuk kemi ende asnjë përgjigjje. Po presim si ne edhe njerëzit që e duan shërbimin tonë”, shprehet Mema.

Gazeta “Si” i është drejtuar Ministrisë së Financave për të pyetur nëse po dikutohet ndonjë plan financiar për sektorin e Transportit, por Financat nuk dhanë një përgjigje konkrete.

Ndërsa Ministria e Infrastrukturës iu përgjigj Gazetës “Si” se çështja ka mbetur tek protokolli i sgurisë anti Covid-19, i cili është duke u bërë gati.

“Covid-19 është ende mes nesh dhe transporti publik është vendi më i rrezikshëm ku qytetarët mund të infektohen. Prandaj duhet të jemi të sigurtë kur të nisim. Jemi në diskutime dhe me Drejtorinë e Përgjithshme të Shërbimit të Transportit Rrugor për të përgatitur protokollin e sigurisë”, thonë nga Ministria e Infrastrukturës.

Pyetjes se pse në Kosovë ka nisur transporti kur situata është përafërsisht e ngjashme për sa i përket pandemisë, ministria nuk i je përgjigje, por thekson se po punohet për protokollin anti Covid-19.

Por zoti Mema këmbëngul se bllokimi i tansportit urban është çështje financiare.

“Protokolli i sigurisë është i qartë; ne kemi dezinfektuar autobusët. Do të bëjmë dezinfektim pas çdo udhëtimi, kemi vendosur dezinfektues në autobusë, kapaciteti deri në 30%, detyrim dorashkash dhe maskash si në Kosovë dhe çdo vend tjetër. Ne po presim për përgjigje të mbështetjes financiare”, thotë Mema.

Teksa kanë nisur në vend pothuajse të gjitha aktivitete ekonomike dhe qytetarët i kanë vendet e punës në distancë të konsiderueshme nga shtëpia, ata po vuajnë nga mungesa e lëvizshmërisë e cila është një kosto e papërballueshme në përditshmërinë e tyre në një kohë kur mungon transporti publik.   


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë