Treg

Transporti s’dihet kur nis, s’ka ende një skemë financiare

Sabina Veizaj- Ajla jeton tek zona e “Freskut” në Dajt. Kurse punën e ka në Autostradë. Punon në një kompani private dhe i duhet të bëjë gati 10 km rrugë çdo ditë.

“Këmbët i kam kallo. Çdo mbrëmje që kthehem në shtëpi i fus në ujë me kripë. Po bëj këto kohë fiskulturën e një jete. Nuk po ia dal dot më. Ka ditë që dua të dorëzohem, por buka e fëmijëve nuk të lë. Taksi është e pamundur të marr se kushton shtrenjtë, si mund të marr unë taksi dy herë në ditë që shkon gati 3000 lekë të reja kur rrogën e kam 55 mijë lekë të reja”- thotë Ajla duke kërkuar nga qeveria  të japë dritën jeshile për të rinisur nga puna e transportit urban dhe ndërqytetës.

“Unë të dy fëmijët i kam në shtëpi, burri në punë me orar të zgjatur. Vajza në shkollë në klasën e pestë dhe djali në të dytën, por që për shkak të pandemisë shkollat u mbyllën dhe janë në shtëpi për më shumë se dy muaj. Dado nuk marr dot. E para për shkak të pagesës dhe e dyta nuk besoj se me frikën që ekzsiton të vjen njeri në shtëpi. Ime më që mund  të më ndihmonte banon në Vlorë dhe nuk mund të vijë sepse nuk punon asnjë linjë trasnporti. Kjo është absurde. Nisën punët, me se do shkojmë në punë?”- pyet Ajla.

Ajla nuk është e vetmja. Këtë probleme kanë një pjesë e mirë e shqiptarëve që nuk kanë automjete private.

Një shqetësim ky që është ngritur nga shumë qyetarë edhe në llogarinë e facbook-ut të kryeministrit Rama, i cili në fakt nuk ka shpjeguar asgjë në lidhje me rifillimin nga puna të transportit publik.

Transporti urban mendohej që të niste më datën 1 qershor dhe  mandej ai ndërqytetës në 9 qershor, por të gjitha linjat e kanë të pamundur ta përballojnë nga ana financiare rifillimin e punës sepse siç thonë përfaqësuesit e sektorit, “70-80% e xhiros janë shpenzime në kohë noramle kur punohet me kapacitet të plotë, mendoni tani që do të punohet me 25%-30%  të kapacitetit”.

Rixhin Qoshja, Shoqata e Transportit Urban

 “Transporti në përgjithësi dhe ai urban në veçanti është shërbim esencial dhe nga të parët që u mbyll dhe të fundit që do hapet. Kemi humbje dhe paqartësi. Nuk kemi një datë të caktuar se kur do të rinisim aktivitetin sepse nuk ka ende një skemë operimi dhe protokoll të shkruar dhe miratuar e mbi të gjitha një skemë financiare. Ajo që dimë është se DPSHTR , Bashkia Tiranë dhe Ministria e Infrastrukturës janë në kontakt për të gjetur modalitetet e fundit se so do të funksionojë në praktikë transporti urban”- shpjegon Rixhin Qoshja, kreu i Shoqatës së Transportit Urban.

Ai thotë për gazetën “Si” se nuk bëhet fjalë për rritje çmimi, “as e kemi kërkuar në këtë situatë”, por duhet mbështetje nga Bashkia dhe organet e tjera. Qoshja thotë se për të kuptuar se si ky transport mund të funksionojë janë përpjekur të provojnë protokollin e Europës dhe atë të Kosovës e cila ka rinisur transprotin publik që më datën 18 maj.

“Kemi kërkuar mënyra të tjera për të mbijetuar, Nuk flitet për fitime, por për mbijetesë sepse është jetike për qytetin dhe punonjësit tanë që vetëm në Tiranë numërohen 1500, të cilët kanë përfituar vetëm nga paketa e dytë 40 mijë lekë dhe janë në pritje cfarë do të ndodhë. Kurse kompanitë përpos rimbursimit të taksave të qarkullimit rrugor nga DPSHTR , që është një shifër e konsiderueshme, por që nuk e nxjerr sektorin tonë nga kolapsi ekonomik ku ndodhet, nuk ka përfituar tjetër gjë”- shpjegon Qoshja.

E njëjta problematikë shfaqet edhe për transportin ndërqytetës i cili është i bllokuar që prej 13 marsit.

Kujtim Mema, kreu i Shoqatës së Transportit Ndërqytetas shprehet për gazetën “Si” se para pak ditësh sëbashku me transportin urban kanë marrë pjesë në një mbledhje me DSHPTR dhe Ministrinë e Infrastrukturës ku kanë shpalosur propozimet e tyre dhe po presin një dokument të shkruar se si do të operojnë për të rinisur punën.

Kërkesat për të rifilluar puna e transportit publik

Heqjen e akcizës së naftës

Zbritja e TVSH-së nga 20% në 6 ose 8%

Heqja e taksave të bashkisë

Ata kanë kërkuar, thotë Z. Mema subvecionim për kapacitetin e munguar për shkak të protokollit të sigurisë anti covid-19 që përkthehet në 1- heqjen e akcizës së naftës, 2-zbritjen e TVSH-së nga 20% në 6 ose 8%, 3-heqjen e taksave të bashkisë, kërkesa këto që të qendrojnë në fuqi sipas tij deri në ritkthimin në normalitet të plotë të ekonomisë.

Kujtim Mema, Shoqata e Transportit Ndërqytetas

“Ne në këto kushte e kemi të pamundur të funksionojmë, jo gati, por krejt të pamundur. Përshembull; marrim një linjë Tiranë-Vlorë që do të funksionojë maksimumi me 30 vende nga 100 që mban autobusi. Bileta kushton 500 lekë dhe për vajtje ardhje kjo linjë qarkullon 15 mijë lekë. 9000 lekë kushton nafta, 3000 lekë pagesa shofer + fatorino, 3000 TVSH që do të thotë është jek e jek gjithmonë nëse kapaciteti 30% nga normali është i plotë, por ne nuk e dimë asnjëherë nëse mbushet. Duke nisur nga eksperienca e mëparshme sjellja e pasagjerëve është me ditë; mesi i javës është vakët, fundjava është më premtuese, etj.”- shpjegon Z. Mema për gazetën “Si”.

Sipas tij, qeverisë i është kërkuar rritje çmimi e biletës në masën 30%, por nuk është pranuar nga qeveria, prandaj po presin nëse qeveria do të vendosë ndonjë mekanizëm rimbursimi në këto ditë.

“E duam të zezë në të bardhë, jo me fjalë se fjalët i merr era dhe ne nuk mbijetojmë dot”- thotë Z. Mema i cili bën me dije se njerëzit mezi po presin, “na shkruajnë përditë sepse kanë halle”.

Rinis transporti publik në Kosovë

Pavarësisht probleme të shumta si teknike, operacionale dhe financiare në sektorin e transportit qytetas, në Kosovë ka rinisur tu shërbehet qytetarëve me transport sipas një protokolli sigurie të përcaktuar nga qeveria.

Ruzhdi Kurtishaj, Shoqata e Transportit Rrugor, Kosovë

“Ka shumë pak persona në autobus dhe sediljet sipas protokollit janë të bllokuara me shirit. Nuk na lejojnë pa maska dhe duhet të përdorim patjetër kur hyjmë dhe dalim dezinfektantit që e ofron vetë autobusi. Nuk ka rritje çmimi bilete”- thotë Lendita për gazetën “Si” banuese në Prishtinë.

Sipas Ruzhdi Kurtishaj, kryetari i Shoqatës së Transportit Rrugor në Prishtinë, linjat urbane kanë nisur të punojnë me 50% të kapacitetit dhe kanë vështirësi financiare.

“Gjendja në transportin rrugor të udhëtarëve ende është shumë e rënduar. Ne kërkojmë mbështetje nga shteti. Ne si shoqatë që jemi në kuadër të Odës Ekonomike të Kosovës, kemi bërë shumë punë dhe me avancimin e dialogut publiko-privat kemi arritur që të senzibilizojmë të gjithë aktorët për këto probleme që tani janë ende aktuale” shprehet ai.

 Sipas Z. Kurtishaj janë qindra kompani, që kanë rifilluar punën. “Ne kemi mbi 500 kompani, mbi dy mijë autobusë, mbi 10 mijë qytetarë të punësuar. Dialogu duhet të vazhdojë mes aktorëve, shoqatës e instirucioneve kompetente”, thotë ai duke vërejtur se problem mbetet orari i kufizuar i lëvizjees së qytetarëve për shkak të masave ndaj pandemisë, andaj orari i lëvizjeve të autobusëve është sigurisht i reduktuar!.

Megjithatë shërbimi i kufizuar nuk i kënaq qytetarët e Prishtinës, të cilët nuk plotësohen totalisht me shërbim dhe janë të detyruar të ecin sërish më këmbë pavarësisht distancave.

Një problem i tillë pritet të jetë edhe në Shqiëpri kur të rinisë transporti publik, për këtë z. Qoshja, kreu i Shoqatës së Transportit Urban u kërkon qytetarëve që ta përdorin me përgjegjshmëri transportin urban duke u lënë radhë atyre që e kanë domosdoshmëri.

Në lidhje me rinisjen më herët të këtij shërbimi në Kosovë, Qoshja shpjegon se “Skema financiare, të paktën në Prishtinë mbështetet nga Komuna, pavarësisht të ardhurave që gjenerojnë. Ne kemi 20 vite në aktivitet dhe shteti nuk ka investuar”- thotë ai.

©Ky material nuk lejohet të kopjohet, apo riprodhohet pa miratimin e Gazetës “Si”. Ai është pronë intelektuale e gazetasi.al dhe si i tillë mbrohet nga ligji


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë