Deputeti i Partinë Demokratike, Ervin Salinaji dëshmoi për më shumë se dy orë në Prokurorinë e Krimeve të Rënda në lidhje me hetimet për dosjen “Babale”. Në ora 09:30 ai hyri në godinën e prokurorisë dhe doli rreth orës 11:45.
Demokrati u mor në pyetje nga dy prokurorët Përparim Kulluri dhe Genti Osmani si person pyetje si person në hetim, pasi akuzohet për ‘kallëzim të rremë’. Ai bëri të ditur pas “rrëfimit” në prokurori se kryesisht është pyetur për videon e dytë ku Fredi Alizoti shfaqet duke deklaruar se është paguar nga Taulanti nga Librazhdi dhe drejtori i Përgjithshëm i Policisë, Ardi Veliu për të deklaruar se ka imituar zërin e Agron Xhafajt në bisedën me Babalen.
Pas daljes nga Krimet e Rënda ai u shpreh për mediat se rrjedhja e hetimit ka ndryshuar, ndërsa shtoi se ka dhënë edhe persona të tjerë që kanë dijeni për hetimin dhe fakte të tjera.
“Statusi im, në datë 9, para publikimit të videos, prokuroria më ka sjellë, pasi kryeministri tha në një deklaratë publike se duhet të vazhdohet me pjesën e dytë, prokuroria thirri si person në hetim. Që ta kuptojnë qytetarët unë sot jam nën hetim për shkak se kallëzuesi viktimë Agron Xhafaj, i burgosur dhe në burg sot, kriminel i dënuar për trafik droge, më ka kallëzuar mua dhe gazetarin investigativ, dhe ne kemi punë për herë të tretë në prokurori, ndërsa Xhafaj nuk ka ardhur asnjëherë në këto dyer në këtë formë në prokurori apo në dyert e institucioneve në këtë formë që kemi ardhur ne”, deklaroi Salianji për mediat.
Gjithashtu ai bëri të ditur se është pyetur për videon e dytë se ku e ka gjetur atë. “Në lidhje me këtë çështje jam vendosur në dijeni në qershor, pasi është publikuar në media që ka pasur një aktor. Kur kam parë që prokuroria e ka pasur këtë person të besueshëm dhe provën kryesore e kam bërë publike. Të gjitha detajet i kam dhënë te prokuroria, besoj shumë shpejt do ta keni që të mos humbin kohë për këtë çështje. Prokuroria ishte po aq e qartë sa dhe publiku, që rrjedhja e hetimit ka ndryshuar, kam dhënë edhe persona të tjerë që kanë dijeni për hetimin dhe fakte të tjera, që gjenden ne fashikullin e Prokurorisë, që asaj mund t’i kenë dalë nga mendja që Taulanti nga Librazhdi dhe Ardi Veliu nga Delvina kanë paguar, apo kanë dhënë një pako të mirë për dëshmitarin kryesor të Prokurorisë, i cili në një bisedë të lirë relaksi të plotë tregoi të gjithë historinë e tij dhe se si ka ardhur dhe si është fabrikuar policia e shtetit dhe nga vartësit e Fatmir Xhafajt, për të shpëtuar jo vetëm vëllanë e tij, por edhe lëkurën e tij në krye të ministrisë e Brendshme”, theksoi Salianji. Ndërsa i pyetur se cilit version duhet t’i besojë për Alizotin të parin të imituesit, apo atë të paguesit, të videos së dytë, demokrati u përgjigj me ironi: “Unë besoj vetëm në Zot, te Alizoti beson Rama”.
Salianji sipas burimeve, gjatë dëshmisë së tij ka deklaruar se videon ia ka dhënë ish-kreu i Policisë Bashkiake, Florenc Hoxha. “Videon me Alizotin ma solli në selinë e PD-së, Florenc Hoxha. Hoxha më tha se një person kërkonte takim”, mësohet të ketë thënë Salianji, duke shtuar se atë e mori, por nuk e konsideroi. Ai e ka rimarrë kur në skenë doli sipas demokratit aktori Alizoti, por vetë nuk e ka takuar personalisht atë. “Alizoti na kërcënonte se nëse nuk paguhej ai do të shkonte te PS, duke shtirur si Agroni. Fredi Alizoti një person i panjohur për mua”, ka dëshmuar demokrati, duke shtuar se ka marrë pas 1 qershorit materialin.
Në lidhje me këtë çështje, Prokuroria caktoi masat e sigurimit “arrest me burg” për dëshmitarin Albert Veliu i njohur si ‘Babalja’, dhe Fredi Alizotin që thuhet se ka bërë zërin e Agron Xhafajt. Gjithashtu është caktuar masa “Detyrim për t’u paraqitur në policinë gjyqësore” për gazetarin Jetmir Olldashi për ‘kallëzim të rremë’. Ndërkohë Veliu (Babalja) u arrestua dje në Kosovë.
Nuk dihet nëse organi i Akuzës do kërkojë heqjen e imunitetit për deputetin Ervin Salianji, që i hap rrugë më pas caktimit të masës së sigurisë ndaj tij.
Transkripti i bisedës së Alizotit
Një ditë përpara dëshmisë për videon e dytë në Prokurori, atë ku Fredi Alizotit tregon se i është kërkuar nga Drejtori i Policisë, Ardi Veliu dhe kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla të ndryshojë dëshminë dhe deklaruar se i janë ofruar 200 mijë euro për përgjimin e Babales mes vëllait të ministrit të Brendshëm, deputeti demokrat Ervin Salianji ka paraqitur disa faksimile të dosjes së përgjimit të Fredi Alizoti me dy numra telefoni ku përmendet emri Taulanti nga Librazhdi, duke aluduar për kreun e grupit parlamentar të PS-së.
“XhafajGate! Gjithë shteti në shërbim të fabrikimit të provave për të shpëtuar pushtetin e tyre politik dhe privilegjet që iu vijnë nga pushteti. Si u fabrikua “aktori”?! Përgjimet e prokurorisë faktojnë se Taulanti nga Librazhdi, shoku i Alizotit i përgjuar me nr cel +091 flet me drejtorin e policise Fier dhe me persona të tjerë! Kushdo mund ti shohë vete dokumentet zyrtare të prokurorisë. Skandali më i madh i faktuar tashmë dhe me dokumenta zyrtare Deri tani kemi parë shumë pak”, shkruan Salianji në Facebook.
Salianji para dy ditësh publikoi edhe një video të kunatit të Babales, Fredi Alizoti që implikon drejtorin e Policisë së Shtetit dhe Taulant Ballën. Në lidhje me dosjen Babale, Salianji publikoi mbrëmë edhe disa traskipte të tjera nga përgjimet duke implikuar sërish Ballën.
Për këtë reaguar kryetari i grupit parlamentar të PS-së, Taulant Balla, i cili ka Balla mohon që të ketë biseduar në telefon me Fredi Alizotin, ndërsa sfidon Bashën që të pyesë ish-kryeministrin Berisha për numrin e telefonit që del në përgjime, 0699423771, i cili i përket një prej njerëzve të afërt të ish-kryeministrit Sali Berisha, ish-shoqëruesit të tij, Sali Lushaj.
“Lulzim! Po mjaft i shpërdorove Sali Anin, Sali Lushën, Sali beun etj. Nuk kam folur asnjëherë në telefon as me kunatin e Babales, as me kunatin tënd. Pyet Saliun se i kujt është ky numër 0699423771”, shkruan Balla.
Përgjimet e publikuar nga Salianji
Biseda e datës 29.05.2017, ora 16:53, telefonuesi me numrin *771 (Sali Lushaj) kontakton Fredi Alizotin me numër *091 dhe zhvillohet kjo bisedë:
Alizoti (nr 091: O vlla.
Nr +771: Hë ça bone?
Alizoti: Ça do bëj ja me atë shokun nga Librazhdi…Dëgjo mua…
Nr +771: Hë?Alizoti: Nuk dua vllai se je njëri i mirë dhe kemi të gjitha edhe kam respekt deri në vdekje…ej…
Nr +771: Po?
Alizoti: Po shikoj këndej nga krahu tjetër unë se është diçka dhe do takojmë Taulantin tani.
Nr +771: Ani, hajde takomë vlla.
Alizoti: Jo ta them me shpirt, nuk dua ta…prandaj të kam marrë në telefon se nuk ma fut dot njeri mua vlla ore- jam me këtë çunin prandaj të mora në telefon të ha në besë, mos ta dëgjon në darkë ose nesër, ke parasysh.
Nr +771: Ani..
Alizoti: Hajd.
Biseda e datës 29.05.2018 ora 17:12, Alizoti i telefonon një personi me numër *700 dhe zhvillohet kjo bisedë:
Alizoti: Alo
*700: Alo
Alizoti: E vlla.
*700:Hë mo vlla, ça bën ti?
Alizoti: Jam me një shok po pres, ça bën ti?
*700:Hiç vlla, ja kam pak punë deri në Durrs.
Alizoti: O vlla.
*700: Hë?
Alizoti: Fola dhe me Salën, kupton, thashë mos të ngelet qefi dhe mos të ha në besë kupton.
*700:Fol.
Alizoti: E po pres të vi Taulaunti tani.
*700: Kush?
Alizoti: Taulanti, Taulanti.
*700: Cili?!
Alizoti: Taulanti, Taulanti.
*700: Krahi i kundërt eee?!
-Biseda e datës 29.05.2018, ora e papërcaktuar, Alizoti telefonon sërish numrit 0699423771 dhe zhvillohet kjo bisedë:
0699423771: Hajde, kur të vish flasim.
Alizoti: E kur të vij, ej, të mora se bëra një muhabet, shoku im nga Librazhdi kupton? E ke parasysh?
0699423771: Po po mirë vlla kur të vish ktu.
Alizoti: Kishte folur me atë minimun ai tha aman ku është ore i tha ai e kam unë s’dua të dali, tha ai, i kishte thënë ai hap gojën sa do i kishte thënë ai.
0699423771: Po a je marr vesh tashi, ku janë vlla?
Alizoti: Ee?
0699423771: A ke fol ku janë?
Alizoti: Asgjë fare, ej, më vdektë plaka ej, nuk bëhen kto muhabete vlla, asgjë.Lushaj: Jo jo, unë flas me djalin.
Alizoti: Sa di ti di dhe unë, ej jam i mërzitur shumë vlla, jam i stresuar.
0699423771: Hajde hajde kur të vish këtu flasim…
-Bisedë e kryer më datën 1.06.2018 në orën 17:20 mes Fredi Alizotit dhe numrit të telefonit *700 dhe zhvillohet kjo bisedë:
Alizoti: O vlla ça po bën e?
*700:Hiç.
Alizoti: Ej, mbaroi ky muhabet.
*700:Mirë boll e vla ça të them vllai?!
Alizoti: Dëgjo mua dëgjo, ej, për pesë minuta vjen më merr Drejtori i Përgjithshëm i Fierit, këtu pesë muhabete i ka bërë mora një pako të mirë.
*700: Ok lali.
Alizoti: Ej, do ta dëgjosh do ta dëgjosh.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.