Lajme

Transferimi i dosjes 184 në Dibër, reagon Prokuroria e Përgjithshme

Një ditë pasi Prokuroria e Krimeve të Rënda shpalli moskompetencën për hetimin e dosjes “184”, që konsiston në përgjimet për blerjen e votave në zgjedhjet e parakohshme lokale për Bashkinë e Dibrës në vitin 2016 vjen edhe reagimi i Prokurorisë së Përgjithshme.
Prokuroria e Përgjithshme në një njoftim për mediat sqaron pse ka ndodhur e gjithë kjo.
“Duke marrë shkas nga publikimet e fundit në media lidhur me shpalljen e moskompetencës nga Prokuroria për Krime të Rënda, për procedimin penal nr.184/2016, regjistruar për veprat penale “Shpërdorimi i detyrës”, “Dhënia e shpërblimeve dhe premtimeve”, “Kanosja apo dhunimi ndaj pjesëmarrësve në zgjedhje”, si dhe “Grupi i strukturuar kriminal”, Prokuroria e Përgjithshme bën me dije se:
Me vendimin e datës 15.07.2019, Prokuroria pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda, ka shpallur moskompetencën për këtë procedim penal, duke kaluar aktet në Prokurorinë pranë Gjykatës Rrethit Gjyqësor Dibër”, thuhet në njoftimin për mediat të Prokurorisë.
Siç thuhet në njoftim, Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër, ka paraqitur në Prokurorinë e Përgjithshme Tiranë, kërkesën për zgjidhjen e mosmarrëveshjes për kompetencat për këtë procedim penal, duke i kërkuar Prokurorit të Përgjithshëm caktimin e Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë për Krime të Rënda Tiranë, si prokurori kompetente për ushtrimin e ndjekjes penale në procedimin penal nr. 184/2016.
Prokuroria e Përgjithshme rendit arsyet e shpalljes së moskompetencës për dosjen “184”, e cila bën fjalë për manipulimet e zgjedhjeve në Dibër. Ndër të tjera theksohet se Prokurori i Përgjithshëm, nuk e ka kompetencën që të shfuqizojë aktet, urdhrat apo vendimet e prokurorit të çështjes. Pra sipas këtij sqarimi Prokuroria e Rrethit Gjyqësor Dibër duhet të regjistrojë çështjen dhe të nisë hetimet. Nga korriku dosja i ka kaluar Prokurorisë së Dibrës me vendim të prokurorit Klodian Braho.
“Ky vendim është marrë nga prokurori i çështjes, Klodian Braho, menjëherë pas ndryshimit të cilësimit juridik të veprës penale me urdhrin e datës 12.07.2019. Me këtë akt, në bazë të nenit 287/2 dhe 315/3 të Kodit të Procedurës Penale, është urdhëruar ndryshimi i cilësimit juridik të veprës penale nga forma e veçantë e bashkëpunimit “grup i strukturuar kriminal” në “bashkëpunim të thjeshtë”, sqarohet më tej.
Prokuroria pranë Gjykatës së Rrethit Gjyqësor Dibër e ka bazuar këtë kërkesë në disa arsye:
“Së pari, veprat penale janë kryer nga grupi i strukturuar kriminal dhe për këtë vepër është kompetente Prokuroria për Krime të Rënda. Së dyti, prokurori duhet t’i ishte drejtuar gjykatës për pushimin e akuzave dhe jo të procedonte me ndryshim të cilësimit juridik.
Së treti, prokurorët e Prokurorisë Dibër janë në kushtet e konfliktit të interesit dhe nuk mund ta hetojnë çështjen në fjalë. Së katërti, Prokuroria Dibër nuk ka staf të mjaftueshëm për të përballuar këtë çështje”, thuhet në njoftimin e Prokurorisë.
Në përgjimet e publikuara nga “Bild” përmenden emrat e kryeministrit Edi Rama, ish-ministrit të Energjetikës, Damian Gjiknuri, ish-deputetit Pjerin Ndreu (aktualisht kryetar i Bashkisë së Lezhës), i ish-deputetit Artan Gaçi, i drejtorit në Ministrinë e Brendshme, Arben Keshit, i shefit të komisariatit nr. 5 në Kamëz, Sali Skurës, si dhe i drejtorit i zyrës arsimore të Dibrës, Drini Gjeçi.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë