Futboll

“Trajneri i vitit” nga UEFA, podi është i gjithi gjerman

Hansi Flik, Jurgen Klop dhe Julian Nagelsman janë tre kandidatët finalistë për çmimin “Trajneri i vitit”, që UEFA do të japë për sezonin 2019/20 për futbollin e meshkujve. Të tre gjermanë dhe mjaft të suksesshëm sezonin e fundit. Trajneri i Bajernit sapo fitoi trofeun e 4-t në pak muaj, Superkupën e Europës, që vjen pas titullit në Bundesligë, Ligës së Kampionëve dhe Kupës së Gjermanisë.

Klop fitoi titullin kampion në Premier Ligë me Liverpulin e tij, ndërsa Nagelsman pati një ecuri të mirë me Lajpcigun në kampionat dhe në Ligën e Kampionëve. Çmimi do të jepet nga UEFA gjatë ceremonisë të shortit të fazës së grupeve të Ligës së Kampionëve për sezonin 2020/21. Kjo ceremoni do të zhvillohet në Nion, të enjten e 1 tetorit.

Jurgen Klop, trajneri i Liverpulit. Gazeta Si, 25 shtator 2020

Në listën me 10 kandidatë bëjnë pjesë vetëm dy trajnerë italianë, Gasperini i Atalantës dhe Konte i Interit. Trajnerët e tjerë në 10-she janë Tuhel i PSG-së, Guardiola i Mançester Sitit, Garsia i Lionit, Lopetegui i Seviljes dhe Zidan i Real Madrid. Klasifikimi është bërë nga UEFA me anë të një jurie të specializuar, të përbërë nga trajnerë dhe përfaqësues të shtypit sportiv. E sigurt është se fituesi do jetë gjerman, pasi podi është i gjithi gjerman.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë