Pasditen e djeshme dhe mëngjesin e sotëm Policia e Shtetit ka kryer një operacion të bujshëm, ku në pranga kanë rënë 11 persona, si pjesë të një organizate kriminale. Mes 11 emrave të lexuar ditën e sotme nga Drejtori i Përgjithshëm i Policisë së Shtetit, Ardi Veliaj është edhe Armir Grimaj, trajner i ekipit kombëtar të Shqipërisë për femra prej disa vitesh. Ky i fundit, sipas njoftimit të Policisë së Shtetit është vënë në pranga ditën e premte pasdite, në qytetin e Shkodrës.
Grimaj është një portierët më të njohur në futbollin shqiptar në dy dekadat e fundit. Ai pas largimit nga futbolli i luajtur ka mbajtur disa pozicione drejtuese në klubin e Vllaznisë, para se të kalonte në drejtimin e kombëtares shqiptare të Futbollit.
Nuk dihet se cili ka qenë roli i Grimajt në këtë organizate kriminale edhe pse Drejtori i Përgjithshëm i Policisë në fjalën e tij theksoi se banda merrej edhe me organizimin e basteve sportive të jashtëligjshme. Gjatë ditës së shtunë të 11-të personat e arrestuar do të dalin para Gjykatës së Krimeve të Rënda në Tiranë. Mbetet për t’u parë dënimi që do të marrë Gjykata për Grimën, për të kuptuar më pas se çfarë do të ndodhë me të edhe në drejtimin e ekipit kombëtar të femrave.
Grima e drejton kombëtaren kuqezi të femrave që prej vitit 2016-të, duke pasuar në këtë rol Altin Rrakllin. Besohet se çfarëdo vendimi të marrë Gjykata, Grimaj do të largohet nga drejtimi i kombëtares kuqezi, pasi akuza është shumë e rëndë dhe kthehet në një njollë të zezë për Federatën dhe skuadrën tonë përfaqësuese. Por përtej karrierës së tij si sportist, Armir Grimaj ka edhe një të kaluar të shkurtër në politike. Në vitin 2013-të ai ka qenë në listën e Partisë Demokratike si kandidat për deputet në qarkun e Shkodrës. Grimaj kishte qenë i 11-ti në listën e PD dhe nuk mundi dot të futej në parlament.
Sakaq në pranga ditën e djeshme është vënë edhe Fabiol Rexhepi, i cili ka qenë portier i Besëlidhjes së Lezhës.
Copyright © Gazeta “Si”
Të gjitha të drejtat e këtij materiali janë pronë ekskluzive dhe e patjetërsueshme e Gazetës “Si”, sipas Ligjit Nr.35/2016 “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e tjera të lidhura me to”. Ndalohet kategorikisht kopjimi, publikimi, shpërndarja, tjetërsimi etj, pa autorizimin e Gazetës “Si”, në të kundërt çdo shkelës do mbajë përgjegjësi sipas nenit 179 të Ligjit 35/2016.