Futboll

Trajner për ‘një ditë’! Muça shpjegon fenomenin që po godet Superioren: Tregon nivelin e klubeve

Gazeta Si – Sapo ka përfunduar faza e tretë e kampionatit dhe në Superiore ‘trafiku’ i trajnerëve mbetet i dendur. Ashtu nisi ky sezon, me një trajner të larguar direkt pas javës së parë (Nica nga Laçi), dhe ashtu po vazhdon, me trajnerë që qëndrojnë dy apo tri javë në krye të një skuadre.

Si fenomen ndoshta ka lindur bashkë me futbollin, jo më kot thuhet se ‘trajnerët janë gjithmonë me valixhe në duar’ dhe se janë rezultatet që i mbajnë ata apo jo në punë. Megjithatë, në Shqipëri ka diçka që nuk shkon, sepse ka klube që aktualisht kanë në stol trajnerin e 4-t sezonal.

Shkelqim Muça, specialist futbolli

Shkëlqim Muça, ish-futbollist i shquar i Tiranës dhe Kombëtares, dhe trajner i disa skuadrave, shpjegon për Gazeta Si pse në futbollin tonë lëvizjet e trajnerëve janë kaq të shpeshta. Specialisti i futbollit e vë theksin te niveli i dobët profesional i klubeve.

“Ky fenomen nuk është se ka lindur sot në futboll, ka qenë gjithmonë. Tani është pak më i theksuar dhe mendimi im është se tregon nivelin profesional të klubeve tona. Tregon se çfarë strukturash drejtuese kanë klubet tona. Presidentët duhet të ndërtojnë struktura të shëndosha me njerëz profesionistë, që të kenë sa më pak probleme të tilla.

Nëse një skuadër nuk ecën me rezultate, mund të mendohet për ndryshimin e trajnerit, por duhet një gjykim i matur, nga njerëz që e njohin këtë punë. Nuk mund të nxitohesh në këto vendimmarrje, sepse pastaj të kthehet në bumerang, siç edhe ka ndodhur. Kur një skuadër nuk ecën, nuk është e thënë që e ka fajin vetëm trajneri. Mund të ketë probleme financiare klubi, apo faktorë të tjerë që ndikojnë. Zakonisht u ndodh klubeve me më pak eksperiencë që të bëjnë lëvizje më të shpeshta të trajnerëve”, - thotë Muça.

Ka raste kur ndryshimi i trajnerit është i nevojshëm dhe rezulton pozitiv, kur veprohet me qetësi dhe profesionalizëm. Këtu Muça sjell shembullin e Vllaznisë: “Janë po ata lojtarë që ishin që në fillim të sezonit te Vllaznia, ku ndryshimi i stafit teknik doli një lëvizje e saktë, sepse situata ndryshoi për mirë dhe ne po e shohim.

Qatip Osmani, trajneri i Vlalznise, keshillon Krymin

U afrua një trajner me eksperiencë, që në bashkëpunim me drejtorin sportiv dhe drejtuesit e tjerë të klubit kanë krijuar ambientin e duhur të punës. Me sa di, janë korrektë edhe me anën financiare, kështu që gjërat po shkojnë mirë javë pas jave në fushë. Kjo është e gjitha, duhen bërë lëvizje të matura nga klubet, të udhëhequra nga profesionalizmi”.

A ka edhe pak aventurë nga ana e vetë trajnerëve në këtë fenomen? “Kur flas për nivel profesional të klubeve, e kam fjalën për çdo aspekt. Një klub, kur merr një trajner të ri, duhet të shohë me kujdes CV-në e tij, duhet të dijë të kaluarën e tij. Duhet shumë kujdes dhe në lidhje me kontratën që firmoset.

Nëse një trajner ka qëndruar tri javë në një skuadër, ai përsëri do ta bëjë. Nëse ka bërë një veprim të papërshtatshëm diku, ai përsëri do ta bëjë, ndaj dhe duhen marrë në konsideratë të gjitha aspektet. Po mendove pastaj, ‘hajde të marrim këtë se nuk na vjen njeri’, këto gjëra do të ndodhin”, - shprehet Muça për Gazeta Si.

Deri tani, vetëm Egnatia dhe Skënderbeu nuk e kanë ndryshuar trajnerin. Kukësi dhe Laçi kanë vendosur ‘rekord’ me trajnerin e katërt aktualisht në detyrë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë