Lajme

Tragjedia në Britani, 39 viktimat ishin me kombësi kineze

Policia britanike ka zbuluar kombësinë e 39 viktimave që u gjetën dje brenda një kamioni në një park industrial në Essex. Mes viktimave është edhe një adoleshent.
Sipas Mirror, viktimat janë me kombësi kineze. Nuk dihet ende se çfarë ka ndodhur dhe hetuesit britanikë po përpiqen të zbulojnë itinerarin dhe si përfunduan në trajlerin frigorifer, duke humbur jetën.
Deri më tani policia ka ndaluar shoferin e kamionit, një 25-vjeçar irlandez.
Policia e Essex ka sqaruar se për ngjarjen tragjike është njoftuar nga një telefonatë nga ambulanca, e cila lajmëroi se një kamion i mbushur me njerëz qëndronte brenda parkut.
Oficerët në Irlandën Veriore kanë bastisur dy shtëpi dhe Agjencia Kombëtare e Krimit tha se po punonte për të identifikuar “grupet e krimit të organizuar që mund të kenë pasur rol”. Mësohet se kamioni me trupa të pajetë ka hyrë në Britani nga Belgjika.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë