Rend dhe Ligj

Trafiku klandestin, BE sjell trupa për kontroll të kufijve në Shqipëri

Agjencia e Rojës Bregdetare e Kufirit Evropian, (FRONTEX) do të ngrejë një strukturë të posaçme në Shqipëri me qëllim luftën kundër emigracionit të paligjshëm drejt shteteve të Bashkimit Evropian. Parlamenti shqiptar do të miratojë së shpejti një projektligj “Ratifikimin e marrëveshjes statusore, ndërmjet republikës së Shqipërisë dhe Bashkimit Europian, mbi veprimet e ndërmarra nga Agjencia e Rojës Bregdetare dhe Kufirit Evropian në Republikën e Shqipërisë”
Në bazë të marrëveshjes së firmosur mes qeverisë shqiptare dhe FRONTEX parashikon që pjesëtarë të kësaj agjencie të kontrollojnë kufirin shqiptar me qëllim parandalimin e emigracionit të paligjshëm që kryesisht vijnë nga vendet e Azisë, Siria, Afganistani apo nga shtetet që kanë qenë në konflikte.
Anëtarët e ekipit të përbashkët kanë të drejtën për të kryer operacione që kanë për qëllim parandalimin e trafikut të paligjshëm të emigrantëve, madje duke pasur dhe të drejtën t’i kthejnë të paligjshmit drejt vendeve të origjinës.
Sipas neneve të marrëveshjes, një Plan Operacional që ka miratimin nga Shteti Anëtar apo Shtetet Anëtare në kufi me zonat operacionale, duhet të arrihet në dakordësi ndërmjet Agjencisë dhe Republikës së Shqipërisë, për çdo operacion të përbashkët ose për çdo ndërhyrje të shpejtë kufitare.
“Plani duhet të përcaktoje hollësisht aspektet organizative dhe procedurale të operacionit të përbashkët ose ndërhyrjes së shpejte kufitare, duke përfshirë një përshkrim dhe vlerësim të situatës, qëllimin dhe objektivat operacionale, konceptin operacional, llojin e pajisjeve teknike që do të dislokohen, planin e zbatimit, bashkëpunimin me vendet e tjera të treta, Agjencitë dhe organet e tjera te Bashkimit Evropian ose organizatat ndërkombëtare, dispozitat në lidhje me të drejtat themelore, duke përfshirë mbrojtjen e të dhënave personale, koordinimin, komandën, kontrollin, strukturën e komunikimit dhe raportimit, masat organizative dhe logjistikën, vlerësimin dhe aspektet financiare të operacionit të përbashkët ose ndërhyrjes së shpejtë kufitare”, thuhet në tekstin e marrëveshjes.
Vlerësimi i operacionit të përbashkët ose i ndërhyrjes së shpejtë kufitare kryhet bashkërisht nga Republika e Shqipërisë dhe Agjencia.
Anëtarët e grupit të FRONTEX do të qëndrojnë në Shqipëri, dhe si pas marrëveshjes ata duhet të mbajnë uniformën e tyre gjatë kryerjes së detyrave dhe ushtrimit të kompetencave të tyre. Gjithashtu, anëtarët e ekipit do të mbajnë identifikim personal të dukshëm dhe një shirit krahu ngjyre blu me shenjat dalluese të Bashkimit Evropian dhe të Agjencisë, duke mbajtur edhe një dokument identifikimi.

Faksimile e marrëveshjes mes Frontex dhe qeverisë shqiptare


Gjatë kryerjes së detyrave dhe ushtrimit të kompetencave të tyre, anëtarët e ekipit mund të mbajnë armë shërbimi, municione dhe pajisje të autorizuara sipas ligjit kombëtar të Shtetit Anëtar të origjinës. Republika e Shqipërisë, para dislokimit të anëtarëve te ekipit, duhet të informojë Agjencinë për armët e lejuara të shërbimit, municionin dhe pajisjet, si dhe për kuadrin përkatës ligjore dhe kushtet e përdorimit të tyre.


Opozita jap alarmin
Marrëveshja është diskutuar në Komisionin Parlamentar të Sigurisë, pas vendimit të marrë nga ana e komisionit të Politikës së Jashtme. Por deputetët e opozitës kanë ngritur shqetësimin se ardhja e FRONTEX në Shqipëri flet për dështim të policisë në ruajtjen e sigurisë dhe të luftës së fenomenit të trafikut klandestin.
Deputeti i PD-së, Ervin Salianji në lidhje me këtë marrëveshje thekson se qeveria tashmë edhe zyrtarisht provohet si e paaftë dhe e pabesueshme për partnerët.
“Qindra tonelata me drogë dhe përdorimi i Shqipërisë si vendi kryesor për tranzitin e kokainës dhe heroinës detyron BE të sjellë agjenci policore të BE për të kontrolluar kufirin. Shqipëria është vendi i parë dhe i vetëm në Rajon që detyrohet me shpejtësi për marrëveshjen. Lajmi i keq që Shqipëria i ka institucionet e saj të pabesueshme për partnerët dhe kjo marrëveshje konfirmon që kufijtë i menaxhon krimi dhe jo policia, lajmi i mirë është që BE po sjell trupa të specializuar për kontrollin e kufirit”, thekson Salianji.
Sipas tij, marrëveshja është paralajmërim për institucionet shqiptare dhe fatkeqësisht është paralajmërim për rikthimin e vizave.
BE merr praktikisht në kontroll edhe kontrollin e personave! Marrëveshja certifikon qëndrimet e opozitës dhe mediave për humbjen e kontrollit të qeverisë në territor, për kontrollin e territorit dhe kufijve nga krimi. Marrëveshja është kërkuar nga BE si rast urgjence”, thekson Salianji.
Ndërsa deputeti i LSI-së, anëtar i komisionit parlamentar të Sigurisë, Endrit Braimllari deklaron se FRONTEX po vjen në Shqipëri sepse Edi Rama i ka vënë kufijtë në shërbim të krimit të organizuar dhe Terrorizmit.
“Keni shkatërruar sigurinë e kufijve. I vutë radarët që monitorojnë pikat tona kufitare në shërbim të krimit të organizuar. Implikuat gjithë shtetin në përkrahje të krimit dhe këtë e keni të vërtetuar nga përgjimet e partnerëve. E bëtë me qëllim që të favorizonit krimin e organizuar. Ky kryeministër ka eksportuar destabilitet për Rajonin dhe Evropën. Mbushët Evropën me drogë dhe e kthyet Shqipërinë në pikën kryesore të kalimit të kokainës dhe heroinës dhe kjo e gjitha me përkrahje shtetërore e vërtetuar nga përgjimet e Antimafias. Duhet të ketë transparencë mbi këtë marrëveshje në këtë drejtim. Sepse kjo marrëveshje bëhet për tjetër gjë, bëhet për të siguruar kufijtë shqiptarë nga trafiku i drogës dhe terrorizmit. Në këtë gjendje e keni kthyer ju vendin”, tha Braimllari në mbledhjen e komisionit.

Gjatë firmosjes së marrëveshjes së FRONTEX, komisioneri Avramopulos, ministri austriak Kick dhe ministri shqiptar Xhafaj


Sipas raporteve të FRONTEX, 76% e emigrantëve klandestinë kalojnë nga Greqia nëpërmjet territorit shqiptar dhe Maqedonisë dhe më pas kalojë drejt Serbisë apo Malit të Zi. Ky ka qenë një shqetësim në rritje i BE-së që ka kërkuar luftimin e këtij fenomeni.


Marrëveshja për Bashkëpunimin me FRONTEX dhe Qeverisë shqiptare është nënshkruar me 5 tetor të vitit 2018. Ajo u firmos në Tiranë nga ministri i Brendshëm shqiptar Fatmir Xhafaj, Komisioneri Europian për Migracionin dhe Çështjet e Brendshme Dimitris Avramopoulos, dhe ministri i Brendshëm austriak Herbert Kick, vendi i të cilit kishte presidencën e radhës së Bashkimit Europian. Kjo ishte marrëveshja e parë e këtij lloji që BE-ja firmosi me vende të treta.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë