Rend dhe Ligj

Trafiku i klandestinëve, grupi koordinohej në “Whatsapp” dhe “Messenger”

Policia ka goditur një tjetër rast të dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit, ndërsa në pranga kanë rënë 4 persona, mes tyre dy të huaj.

Policia thotë se 4 shtetasit akuzohen se në bashkëpunim me njëri-tjetrin transportonin emigrant klandestinë nga zona e Korçës në Tiranë dhe më pas për në Mal të Zi, me qëllim destinacionin final një nga vendet e BE-së.

Ndërkohë, janë proceduar në gjendje të lirë, për kalim të paligjshëm të kufirit, dhe tre shtetas turq.

Në pranga kanë përfunduar shtetasit K. D., 32 vjeç, banues në Kamzë, Tiranë; A. M., 35 vjeç, banues në Tiranë; E. E., 22 vjeç, me shtetësi dhe kombësi siriane; A. I., 25 vjeç, me shtetësi dhe kombësi marokene;

Siç njofton policia, këta shtetas, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, dyshohet se kundrejt shpërblimit monetar, bënin transportimin e emigrantëve klandestinë të kombësisë siriane ose kombësive të tjera (marokene, afgane, irakene) nga zona e Korçës në afërsi të kufirit të gjelbër me Greqinë, për t’i sjellë në Tiranë, ku pasi sistemoheshin fillimisht në dhoma me qira apo hotele në zonën e Laprakës, transportoheshin me automjete private drejt kufirit të gjelbër me Malin e Zi, me destinacion final vendet e Bashkimit Evropian.

Shtetasit E. E. dhe A. I. dyshohet se kishin rolin e organizatorit në këtë skemë trafikimi, duke u koordinuar me persona të tjerë të kombësisë siriane në Greqi dhe Siri, ku nëpërmjet aplikacioneve “Whatsapp”, “Messenger” etj, bënin koordinimin e lëvizjes së emigrantëve nga Greqia për në Shqipëri, duke angazhuar shtetasit shqiptar të arrestuar në këtë skemë, të cilët luanin rolin e transportuesit, përkthyesit dhe të personave që shpesh tërhiqnin paratë që transferoheshin nëpërmjet agjencive te transfertave monetare.

Në cilësinë e provës materiale janë sekuestruar një automjet dhe 4 aparate celularë.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufirit” dhe “Kalim i paligjshëm i kufirit, kryer në bashkëpunim”.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë