Ana e errët

Trafiku i drogës, si grupi i Endrit Dokles i bëri “shqiptarë” 3 boshnjakët

Gazeta “Si” do të publikojë edhe sot pjesë nga dosja në të cilën Endrit Dokle u shpall fajtor për trafikimin e heroinës dhe u dënua me 18 vite burgim. Ai përshkruhet si personi që koordinon përmes numrave telefonikë të identifikuar nga italianët se i posedonte në burg dhe pikërisht prej andej ai jepte urdhrat për secilin. Në një moment, prokuroria përshkruan se Dokle i shkruan mesazh nga qelia Jorid Xhungës, në kohën kur burgjet deklaronin se aparatet telefonikë ishin të ndaluar dhe se prej andej nuk pipëtinte askush. Më 6 shtator 2008, teksa po gjykohej për bandën e Durrësit, Dokle i shkruan mesazh Jorid Xhungës me urdhrin “mbaroje punën e nisur”. Më pas, Dokle i shkruan sërish “Tako nesër Lalin (Isuf Bunën), dhe flisni bashkë me Kuqin, se ti do dalësh i keq, më dëgjo mua. Se dhe të premten filloi tu bërtit ai psikopati o Ruq. Inshallah po mbarojm mrena mujit se lam nam o lal”.

Bashkëpunëtori i tij, Jorid Xhunga, i përgjigjet menjëherë brenda minutës “duhet ta mbarojmë se s’bën”.

Gjatë bisedave në ditët në vazhdim mes të dyve, Dokle shprehet i shqetësuar për shitjen e drogës në Itali, të cilën e kishte marrë përsipër një person me nofkën Kuqo. Por se kush është Kuqo zbulohet nga vetë Dokle, i cili pasi ka mbyllur një bisedë me Ervin Bakrin (më vonë i arrestuar me heroinë nga italianët) telefonon Jorid Xhungën dhe i tregon që sapo kishte folur me Kuqin.

Dokle: Tashti sa fola me Kuqin, s’po marr vesh asnjë gjë çfarë po bëhet e çfarë thotë. Nuk e di tashti.

Joridi: Ik, flasim mbasdite.

Në të njëjtën periudhë, Endrit Dokle është i tensionuar pasi droga me gjithë ditët që po iknin, nuk po shitej në Itali. Telefonata zhvillohet me Isuf Bunën.

Dokle: Merre Rucin *Jorid Xhungën* në telefon dhe thuaj mbasdite urgjentisht në Tiranë, thuaji njërit prej atyre çunave atje urgjentisht të vijë këtu, thuaj të vijë të takojë mu.

Buna: Pse kështu lali apo ke ndërruar strategji?

Dokle: Nuk vjen kush... njëri prej jush të vijë urgjentisht këtu të sqarojë muhabetet.

Dokle kërkon shpjegime sipas transkriptit që gazeta “Si” disponon edhe në bisedën telefonike me Joridin.

Dokle: Nuk janë gjëra për tu tall këto o lali, nuk janë gjëra me nejt me bo festë, këto janë gjëra me u nejt te koka, me marrë vesh brenda javës, bëhet a s’bëhet e me çu tjetër kënd me e marrë, jo mbas dy muajsh. Janë gjëra me qeder o burrë... çfarë me të thënë unë ty, çfarë t’i them unë atij o vëlla? Ai më merr mua, më merr mua ore, më thotë fol ore… ku di gjë unë... më ha… mua me u përzi tashti.. mbaj edhe burg, mbaj edhe stres në kokë. Ik takoje, merre atë në telefon.

Joridi: Si si?

Dokle: Me ardh ndonjë nga ata këtu që duhet me e sjell patjetër ti.

Joridi: Po.

Dokle: Me i thënë të vijë këtu ta takoj, ti se ke idenë çfarë kam për ti bë. Idenë më të vogël nuk e ke, ja për kokën time, çfarë të them unë ty.

Jo vetëm kaq, në kohën kur shpërndarja e heroinës ka ngecur, atëherë Dokle merr sërish përsipër të gjejë të tjerë për të realizuar shitjen e mallit. Bashkë me këto probleme, italianët realizojnë goditjen e parë, duke arrestuar tre bashkëpunëtorë, mes tyre edhe Kuqin e duke bllokuar më se 13 kg heroinë. Droga ishte e dërguar gjatë muajit gusht dhe ishte njëra nga ngarkesat prej 20 kilogramë. Të tjerët përfshi edhe Doklen fillojnë të flasin për arrestimin e shokëve, sasisë së heroinës së kapur dhe fatit të parave prej pothuajse 7 kg heroinë që ishte shitur nga gjithë ngarkesa.

Dokle: Jam sëmurë, jam sëmurë

Buna: Ëë?

Dokle: Jam sëmurë krejt them

Buna: Jo, ore..

Dokle: Po, po

Buna: S’ka problem po hë, hajd lalush.

Dokle: Shko e tako atë qeros dhe thuaji që kështu kështu më ka ndodhur, thuaji ti kam borxh dhe hajd shëndet.

Dokle:  Mos u mërzit.

Buna: Jo më lali... U nis me ma fut, ma futën hallall.

Dokle: Jo, ti nuk ke pse e konsideron kështu.

Buna: A e kupton jemi një familje, por... u nisën kishin muaj që u nisën. Nga e more vesh ti?

Dokle: Po fola me atë që ke ti atë numrin... I ka shku me e marrë atje ku i ka thënë, me e lënë dhe i ka dalë dardhë. Mundohu me e taku atë qerosin.

Buna: Qerosit iu vë gjobë unë jo në emrin tim, me vu të tjerët

Dokle: Po duhet me e taku se duhet prapë.

Buna: Unë nuk takoj njeri, kërkënd o Endrit, asnjë... hajd.

Dokle e qetëson shokun me shprehjen se këto gjëra u ndodhin të gjithëve, ndërkohë që Isuf Buna i shpjegon se aksioni kishte ditë që kishte nisur dhe se po e shikon tek teleteksti. Madje Buna mundohet të bëjë humor duke parashikuar se “unë jam jashtë, po qe puna unë jam i dëmtuari në këtë rast se më bien tek dhoma jote e rrimë bashkë, unë rri lart e anasjelltas”.  

Në vazhdim të transkripteve të gjithë anëtarët e grupit përpiqen të gjejnë përgjegjësit dhe shkaqet se përse dështoi trafiku i heroinës. Pasi u ka kërkuar secilit llogari dhe ka kërkuar edhe detaje, Dokle ideon sërish trafikimin e ngarkesës tjetër. Anëtarët e grupit pas këtij momenti ndërrojnë numrat dhe i shkruajnë sipas nofkave numrat e rinj. Por, ndërkohë grupi vazhdon të kërkojë lekët për shitjen e 6.330 kg në Itali dhe shpesh  fajësojnë Joridin që sipas tyre nuk i kishte dorëzuar të ardhurat e heroinës te Shefqet Vata. Në këtë moment, në episodin e dytë përfshihen edhe emra të rinj mes tyre Mokja (Edmond Taulla), i cili komunikon me një tjetër shqiptar që jeton në Itali të quajtur, Elis Deda.

Prokuroria në dosjen që gazeta “Si” disponon shpjegon udhëtimin e Dedës për t’u takuar personalisht me Isuf Bunën dhe Shefqet Vatën dhe përmend edhe premtimet e tij se kishte gjetur një treg të mirë. Në këtë moment, Vata dhe Buna njoftojnë Doklen thuhet më tej në fashikujt që gazeta “Si” disponon. Dokle pyet Isuf Bunën.

Dokle: A marut punë?

Buna: Folëm, e u sqaruam.

Dokle: A u sqaruat mirë?

Buna: Lashë Cetin (Vatën) për atë punë.

Dokle: Mirë, mirë …a u morën vesh ata?

Buna: Po, normal që po

Pas kësaj bisede edhe në këtë episod ngarkesën e merr përsipër Izet Krasniqi, i cili përmes një numri boshnjak dërgon një adresë në telefonin e Elis Dedës me tekst “Bergamo” dhe adresën e hotelit. Pikërisht, kjo është edhe adresa ku është pritur ngarkesa e dytë prej 20 kilogramë.

Izet Krasniqi flet në telefon me boshnjakun që e kishte nënkontraktuar për transport.

Krasniqi: Ej shok

Boshnjaku: Ej mik

Krasniqi: A je gjallë?

Boshnjaku: Akoma është festë, a më kupton?

Krasniqi: Po, po të kuptoj.. a do jetë për të dielën?

Boshnjaku: Të mërkurën mendoj se do jetë atje

Kjo bisedë dhe të tjera më pas konfirmojnë se heroina do mbërrinte të mërkurën. Ashtu sikurse në disa raste anëtarët e quanin në mënyrë figurative si nipçja.  

Prokuroria sqaron në dosje se tre shtetas boshnjakë janë përfshirë si trafikun e heroinës, të cilëve nga një sërë dëshmish u janë dërguar para nga Shqipëria, në emra të tillë sikurse Bledar Eskiu i dërgon 3 mijë euro Nedzad Cufurovic në Sarajevë. Pas kësaj dërgese, ai i shkruan Krasniqit“OK, do shihemi nesër, shkon tek byrazeri. S’ka ngutje”.

Në vazhdim, prokuroria përmend një sërë kërcënimesh mes anëtarëve për të përshpejtuar shitjen e heroinës, por edhe emra të tjerë të dyshuarish që përfshihen në operacionin e heroinës apo edhe italianë. Në një moment nervozizmi, anëtarët e grupit të Dokles ankohen te njëri-tjetri, duke pyetur se kush kishte hyrë garant për Elis Gurin që e kishte quajtur djalë të mirë, ndërkohë që nga ana tjetër edhe boshnjaku i shkruan mesazh Krasniqit, duke kërkuar lekët e tjera, pasi kishte mbaruar punë dhe e kishte dorëzuar byrazerin.

Boshnjaku: Unë me ju kam më shumë se një vit që punoj. Unë me gishta nuk i prek mik, unë as çmimet nuk i kam lëvizur, kam qenë i ndershëm. Unë mundesha t’u vidhja, por kurrë se kam bërë.

Mesazhi i boshnjakut ka vënë në lëvizje grupin për të shpejtuar shitjen e heroinës, duke kërkuar edhe angazhimin e një italiani, i cili sapo merr gati tetë kg heroinë, bllokohet nga italianët dhe arrestohet.


Copyright © Gazeta “Si”


Lajme të lidhura

Më Shumë