Rend dhe Ligj

Trafikonin ilegalisht emigrantë drejt BE-së, arrestohen 5 persona, 8 të tjerë në kërkim

Policia e Durrësit ka vënë në pranga 5 persona dhe 8 të tjerë i ka shpallur në kërkim, pasi akuzohen për falsifikim dokumentesh për dhënien e ndihmës për kalim të paligjshëm të kufijve, kundrejt fitimit.

Arrestimi i tyre është bërë gjatë operacionit policor “Danubi”, pas një hetimi disamujor nga prokuroria e Durrësit. 

Siç njofton policia, nga hetimet e kryera ka rezultuar se shtetasit e arrestuar, në bashkëpunim me shtetasit e shpallur në kërkim, ushtronin veprimtari kriminale në fushën e dhënies ndihmë për kalim të paligjshëm të kufirit. Me qëllim përfitimin ata merrnin 1000 deri në 2500 euro për çdo person që ndihmonin për kalimin e paligjshëm të kufirit, personave që u refuzohej hyrja në vendet e BE-së.

Në pranga ranë shtetasit me iniciale M. Xh., 58 vjeç, I. B., 58 vjeç, I. G., 64 vjeç, A.N., 49 vjeç, banues në Durrës dhe E. B., 39 vjeç, banues në Fushë Krujë, i dënuar më parë për prodhim dhe shitje narkotikësh.

Gjithashtu janë shpallur në kërkim dhe 8 shtetas të tjerë, për të cilët po bashkëpunohet për kapjen e tyre.

Në cilësinë e provave materiale u sekuestruan 3 automjete që përdoreshin për transportin e personave, 4 pasaporta biometrike dhe një sasi e konsiderueshme në euro dhe lekë.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë