Lajme

Trafik droge në vendet e BE, “Precizioni” godet grupin e Met Kananit

Policia, Prokuroria e Krimeve të Rënda dhe agjencië partnere kanë shkatërruar një rrjet të gjerë të trafikut të lëndëve narkotike, që dyshohet se kishte lidhje me trafikantin e arrestuar në Turqi, Met Kanani, që akuzohet se ka trafikuar tonelata droge kanabis dhe heroinë e kokainë nga Shqipëria drejt Turqisë, duke përdorur Greqinë dhe Maqedoninë. Policia njoftoi se janë arrestuar 15 persona në vendin tonë dhe 4 të tjerë në vendet e BE.  Harta e arrestimeve ka prekur disa qytete në Shqipëri dhe është zgjeruar drejt Italisë dhe Turqisë.

Drejtori i Departamentit të Policise Kriminale Drejtues i Lartë, Eduart Merkaj dha detajet e operacionit “Precizioni” në konferencë për shtyp së bashku me prokuroren e Krimeve të Rënda, Elizabeta Imeraj.

Eduart Merkaj deklaroi se trafikantët vepronin si grup i strukturuar kriminal, për trafikimin e lëndëve narkotike.

“Veprimtarinë kriminale e ushtronin në Shqipëri dhe në vende të tjera, kryesisht ato të Bashkimit Europian. Dyshimet ishin se ky grup kriminal vepronte në linjat e trafikimit të heroinës, Turqi – Greqi – vendet e BE-së dhe Turqi – Maqedoni – Shqipëri – vendet e BE-së. Një tjetër aktivitet kriminal, i zbuluar nga hetimet ishte trafikimi i kokainës nga vendet e Amerikës Latine përmes vendeve të Ballkanit në Shqipëri dhe vendet e BE-së." – deklaroi Merkaj.

Në vijim të konferencës, kreu i Policisë Kriminale dha emrat e 18 të arrestuarve, për të cilët tha se zhvillohen hetime që nga muaji shkurt i vitit 2017.

Met Kanani, 56 vjeç, banues në Fier (aktualisht në burg në Turqi).

Redjan Dervishi, 26 vjeç (aktualisht në burg në Turqi).

Ruvin Spahiu, 46 vjeç (aktualisht në burg në Turqi).

Besmir Llupi, 32 vjeç, banues në Vlorë (aktualisht në burg në Turqi).

Mentor Muçka, 47 vjeç, banues në Pogradec (aktualisht në burg në Maqedoni).

Alfred Shabani, 44 vjeç, banues në Gjirokastër.

Armando Gjini, 47 vjeç, banues në Rrëshen.

Iliro Haruni, 43 vjeç, banues në Fier.

Orges Islami, 40 vjeç, banues në Gjirokastër.

Arvanit Ulndreaj, 26 vjeç, banues në Tiranë.

Klaudio Ulndreaj, 25 vjeç, banues në Tiranë.

Florand Xhabej, 43 vjeç, banues në Korçë.

Gojart Jahelezi, 33 vjeç, banues në Tiranë.

Lavdim Çuku, 44 vjeç, banues në Prrenjas, Librazhd.

Klinsi Aliaj, 23 vjeç, banues në Tiranë.

Nexhat Mlloja, 53 vjeç, banues në Shkodër.

Andrea (Sadik) Balla, 57 vjeç, banues në Prrenjas, Librazhd.

Bilbil Heqimi, 58 vjeç, banues në Fier.

U shpall në kërkim shtetasi S.R. banues në Librazhd.

Merkaj njoftoi se me autorizim të Prokurorisë  për Krime të Rënda, është shkëmbyer informacion me autoritetet policore të Greqisë, Turqisë, Maqedonisë, Italisë me ndërmjetësimin e DEA-s, SELEC dhe oficerëve të kontaktit të vendeve respektive ku janë realizuar me sukses një sërë operacionesh policore.

Në vijim Merkaj renditi operacionet e kryera që nga shkurti 2017, kur kanë nisur hetimet, në Rajonin e Atikës në Greqi, në Fier, në Vlorë, në Greqi, në Kavajë, në Maqedoni, në Turqi, ku u arrestua Met Kanani dhe në Itali ku në total u sekuestruan rreth 6.5 tonë kanabis dhe u arrestuan 44 persona, 3 të tjerë u shpallën në kërkim.

“Vazhdon puna për identifikimin e personave të tjerë të implikuar në këtë aktivitet kriminal” – mbylli fjalën e tij drejtuesi i lartë i Policisë Kriminale, Eduart Merkaj.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë