Dosje

Trafik droge Belgjikë-Gjermani, Europol arreston 17 shqiptarë anëtarë të një grupi kriminal

Gazeta Si - Në një aksion të Europolit, 17 shqiptarë kanë rënë në prangat e policisë, pasi dyshohet se janë të përfshirë në trafikun e lëndëve narkotike.

Bëhet fjalë për një grup të organizuar kriminal, që sipas Europol ishte përfshirë në trafikimin e sasive të mëdha të drogës dhe pastrimit të parave në Europë.

Mësohet se më 25 maj, mbi 300 oficerë në Gjermani dhe në Belgjikë kanë kryer kontrolle kundër anëtarëve të një grupi kriminal të strukturuar në mënyrë familjare, e përbërë nga shtetas shqiptarë.

15 prej të arrestuarve u kapën në Belgjikë, ndërsa 2 të tjerë në Gjermani. Ndërkohë janë sekuestruar 3 kg drogë sintetike, 3 kg kokainë, 13 makina, 3 armë, mbi 700 mijë euro cash, një “shtëpi bari” dhe 15 kilogramë kanabis.

Siç njofton Europol, organizata ishte e specializuar në trafikimin e kokainës dhe heroinës. Hetuesit kanë zbuluar se droga trafikohej me kontejnerë në Belgjikë. Më pas çohej në Gjermani me makina në disa pjesë të fshehura mirë. Më pas droga shpërndahej në të gjithë Europën.

“Europol e mbështeti këtë hetim duke ofruar ekspertizë të thelluar dhe mbështetje të gjerë analizash duke lehtësuar shkëmbimin e informacionit përmes kanaleve të sigurta. Një sërë takimesh operacionale u organizuan nga Europoli në të gjithë Evropën me qëllim plotësimin e boshllëqeve hetimore në nivel ndërkombëtar dhe koordinimin e veprimeve të njëkohshme që synojnë çmontimin e të gjithë strukturës së këtij grupi kriminal”, thuhet në njoftimin e Europol-it.


Copyright © Gazeta “Si”


Më Shumë